Hasani takohet me përfaqësuesit e FMN-së

Aktuale

Hasani takohet me përfaqësuesit e FMN-së

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 16:50
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani u takua sot me një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar të udhëhequr nga Ruud Vermeulen, përfaqësues rezident i FMN-së për Kosovë.

Ky është një takim njoftues në mes të udhëheqësve të të dyja institucioneve dhe ka për qëllim diskutimin dhe informimin e institucioneve partnere me të cilat Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  ka një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm.

 Me këtë rast, ministri Hasani ka njoftuar përfaqësuesit e FMN-së lidhur me aktivitetet dhe prioritet e MTI-së gjatë mandatit të tij.

Hasani potencoi se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë aktiviteteve që ndërlidhen me përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe heqjen e pengesave për bizneset, përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat dhe me theks të veçantë zhvillimit të sektorit të turizmit, etj.

Përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë përgëzoi ministrin Hasani për pozitën e re si ministër i MTI-së dhe shprehu interesimin e FMN-së për të vazhduar këtë bashkëpunimin ndërinstitucional në mes të dyja institucioneve përkatëse në realizimin e planeve dhe projekteve strategjike të MTI-së dhe që do të kenë ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Ai u interesua edhe për projektet konkrete që udhëhiqen nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e në veçanti për planet e ministrisë që ndërlidhen me  Projektin për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës.

Hasani konfirmoi se projekti i Brezovicës është i shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Kosovë dhe siguroi bashkëfolësit se vendimi i sapo marrë nga Qeveria e Kosovës nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ në promovimin dhe realizimin e këtij projekti madhor.

Ai beson se me Ligjin për Investime Strategjike, të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, MTI do të bëjë ri-aktualizimin e këtij projekti dhe do të ftojë investitorët serioz për të  investuar në këtë projekt strategjik në Kosovë.

Në fund, bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të MTI-së dhe FMN-së në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat