Thaçi përsëri me kritika për ndërkombëtarët, ka një lutje për Shqipërinë

Aktuale

Thaçi përsëri me kritika për ndërkombëtarët, ka një lutje për Shqipërinë

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 10:19
Thaçi dhe Meta

(E plotësuar) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili po viziton Kosovën, është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ky i fundit pati lutje ndaj Metës që qytetarët e Kosovës të pajisjen me nënshtetësi shqiptare, por Meta i tha se kjo nuk është zgjidhje por e vetmja zgjidhje mbetet zhbllokimi i procesit të demarkacionit.

Presidenti Thaçi me këtë rast i ka ndarë presidentit Meta çmimin “Urdhri i Pavarësisë“, për kontributin e  dhënë për mbështetjen e Kosovës, në të gjitha proceset.

Thaçi: Meta arkitekt i mbështetjes së Kosovës

“Gjithë ato përkushtime të juaja për njohje për Kosovën. Anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si një prej personaliteteve arkitekt të mbështetjes së shtetit shqiptarë për lirin dhe pavarësinë e Kosovës, sot si President i Kosovës dhe si mik i juaj të ndaj çmimin për ju “Urdhri i Pavarësisë”, tha ai.

E Presidenti Meta tha është i emocionuar  që po e viziton Kosovën si President i Shqipërisë, gjë të cilën vështirë e kishte imagjinuar gjatë viteve 96-97.

Meta: Është një surprizë e veçantë

 “Është një surprizë e veçantë kjo dekoratë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për mua, por unë do ta marrë atë më shumë si vlerësim, për atë që gjithë qytetarët e Shqipërisë kanë bërë mbështetje të lirisë, pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të angazhohen sot para Presidentit të Republikës së Kosovës, për angazhimin e më tejshëm në forcimin e pavarësisë së Kosovës, të njohjes së saj ndërkombëtare dhe të realizimit të aspiratës për perspektivën evropiane tërësisht të prekshme të saj dhe gjithë rajonit tonë, sepse e ardhmja evropiane e Kosovës është e rëndësishme për të ardhmen evropiane të gjithë rajonit tonë”, tha ai.

Pas takimit presidenti Thaçi tha se ka kërkuar nga Presidenti Meta, që t’i Shqipëria t’i pajisë qytetarët e Kosovës me nënshtetësi shqiptare, pasi që ata po vazhdojnë të mbeten padrejtësisht në një izolim klasik nga BE-ja.

Ai tha se e vetmja shpresë në këtë moment ka mbetur pajisja e qytetarëve kosovarë me nënshtetësi shqiptare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e të dyja vendeve dhe se kjo sipas Thaçit, është nevojë imediate.

Thaçi: Kërkova nga Meta që kosovarët të pajisen me nënshtetësi shqiptare

“Pasi që Demarkacioni është vë si kusht i domosdoshëm që Kosova ta implementoj që të ndodh liberalizimi i vizave. Në të ardhmen e afërt, unë nuk shoh ndonjë perspektive të Kosovës me këtë logjik, mentalitet dhe filozofi të funksionimit, që mund të kaloj marrëveshjen e arritur mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Në anën tjetër dhe qasja bllokuese e BE-së që është argument shtesë, në raport me Kosovën, më shtyn që sot t’i lutem Presidentit të Shqipërisë dhe autoriteteve tjera të Shqipërisë, që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe të drejtën për dyshtetësi, t’u lejohet qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë për shtetësi, të fitojnë këtë të drejtë dhe të lëvizin lirshëm në Evropë. Aktualisht kjo është shpresa e vetme me lëvize qytetarët e Kosovës lirshëm”, tha ai.

E presidenti Meta i cili tha se është në pozitë të vështirë, pasi që ka presione dhe kërkesa pafund nga personalitete dhe nga qytetarë të Kosovës, për të marrë nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë.

Ai shtoi se kjo nuk është zgjidhja dhe se e vetmja zgjidhje mbetet zhbllokimi i procesit të demarkacionit.

 Meta: Zgjidhja nuk është pajisja me nënshtetësi shqiptare

“Pa dyshim ne mirëkuptojmë dhe ketë kërkese që vjen nga ky presion i drejtë i qytetarëve të Kosovës. Vazhdimisht dëgjojë dhe për keqtrajtime dhe prej zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të lartë për shkak të kësaj pengese. E kuptoj se çfarë ndodh dhe me qytetarët e thjeshtë apo studentët nga Kosova që dëshirojnë të studiojnë në vendet tjera evropiane. Sigurisht zgjidhja nuk është që të merret nënshtetësia shqiptare për gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga dëshira për ta kaluar këtë problem. Jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana ime  apo nga institucionet e Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi, dhe unë shpresoj që politika këtu në Kosovë pas zgjedhjeve të afërta vendore në një dialog edhe më aktiv me BE dhe Malin e Zi e zhbllokojnë këtë çështje”, tha ai.

Në fund dy presidentët nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë rënë dakord që mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me synim të përbashkët për arritjen sa më shpejt të standardeve evropiane; rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët ndërkombëtarë; shprehin mirënjohje për vendet mike dhe partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë dhënë ndër vite, përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të ardhmen, si dhe përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe solidaritetin që bashkon.

Dy presidentët nëpërmjet kësaj deklarate, rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit, në dobi të qytetarëve dhe të proceseve integruese dhe shprehin solidaritetin ndaj sfidave me të cilat përballin vendet mike dhe partnerët tanë strategjikë, por gjithashtu zotohen për të dhënë kontributin e dy shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida.

“Refuzojmë me vendosmëri çdo alternative tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në: 1.      Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit, që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO; ngaqë  integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon; 2.      Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO; 3.      Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, angazhimin e Kosovës që të bëjë çdo përpjekje të zgjidhë në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndërsjellë çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Mal in e Zi; 4.      Vazhdimin e fazës përfundimtare dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim të njohjes përfundimtare të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte pozitive për gjithë rajonin”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ka një lutje për Shqipërinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta që shteti shqiptar t’u lëshojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që sipas tij, i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.

“Bashkimi Evropian e ka sjellë në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë Thaçi.

Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Prishtinë.

Presidenti Meta është pritur në Prishtinë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me ceremoni shtetërore.

Image

Presidenti Thaçi i ka ndarë homologut të tij nga Shqipëria çmimin, “Urdhri i Pavarësisë”, për meritat dhe angazhimet e Presidentit Meta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Por, një shqetësim që ka ngritur me këtë rast, Thaçi kishte të bënte me izolimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak të lënien anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai tha se ka shumë studentë, punëtorë e qytetarë të Kosovës që për shkak të izolimit, nuk mund të shkojnë në vendet evropiane. Andaj, i bëri thirrje Tiranës, që në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën t’u mundësojë shqiptarëve të Kosovës që të marrin nënshtetësi të shtetit shqiptar, në mënyrë që të fitojnë të drejtën për pasaporta dhe liri të lëvizjes.

“Shqetësimi im është se jemi tërësisht të izoluar dhe pa perspektivë në familjen euro-atlantike”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta tha se ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, ngase ka shumë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të marrin nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për t’i shpëtuar bllokadës në të cilën ai tha se padrejtësisht janë vënë.

Image

““Ka kërkesa për të marrë nënshtetësinë e Shqipërisë për t’i shpëtuar kësaj bllokade në të cilën padrejtësisht ndodhen qytetarët. Domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi për të mos thënë këtij diskriminimi që po përjetojnë qytetarët e Kosovës tek të cilët ka sjellë një frustrim. Pa dyshim ne mirëkuptojmë këtë kërkesë që vjen nga ky presion i drejtë i qytetarëve të Kosovës për pajisje me nënshtetësi shqiptare, kuptoj se çfarë ndodh me qytetarët dhe studentët që duan të studiojnë në vende evropiane. Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësia shqiptare pavarësisht dëshirës për të kaluar këtë problem. Zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Shpresoj që institucionet e Kosovës në një dialog me BE dhe Malin e Zi ta zhbllokojnë këtë çështje”, tha ai.

Në agjendën e presidentit Meta janë edhe takimet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pastaj me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Vizita e parë shtetërore e Presidentit të Shqipërisë në Kosovë përmban edhe takimin me krerët e partive parlamentare si dhe homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari”, në Prekaz-Skënderaj. 

Image

Meta pritet me ceremoni shtetërore

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka mbërritur për një vizitë dy-ditore në Prishtinë.

Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.

 Thaçi e Meta po zhvillojnë një takim pa praninë e mediave, ndërsa pas takimit bibileateral pritet që të dalin në një konferencë për media.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat