Gradohen 5 nënoficer nga komuniteti jo shumicë, Thaçi: Afër ta bëjmë ushtrinë me NATO-n

Aktuale

Gradohen 5 nënoficer nga komuniteti jo shumicë, Thaçi: Afër ta bëjmë ushtrinë me NATO-n

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 11:11
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Forcës së Sigurisë së Kosovës iu janë shtuar sot edhe pesë nënoficerë nga komuniteti jo shumicë. Gjatë një ceremonie në kazermën e FSK-së në Gjilan, u tha se FSK me kapacitetet ekzistuese është e gatshme të shndërrohet nga konsumues i sigurisë në ofrues të sigurisë për të gjithë qytetarët dhe më gjerë.

Në këtë ceremoni morri pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se këta pesë pjesëtarë që po gradohen sot vinë nga komuniteti jo shumicë do të mbajnë gradën e nënoficerit të FSK-së.

Thaçi: FSK është shtëpi e të gjithëve

“Trajtimet dhe tekstet që kalon çdo pjesëtar i FSK-së janë të përgatitur nga NATO sipas standardeve të NATO-së me këtë synohet profesionalizimi i FSK-së i nivelit të NATO-së. Pjesëtarët vinë nga komuniteti jo shumicë në Kosovë dhe me këtë realizojmë aspiratën tonë për një forcë multi-etnike, gjithëpërfshirëse dhe FSK edhe një herë tregon se është shtëpi e të gjithëve“, tha ai.

Presidenti Thaçi shtoi se FSK ka kryer me përgjegjësi dhe profesionalizëm çdo detyrë që iu është dhënë deri më tani, duke u bërë institucioni më i besueshëm që kontribuon për siguri.

Thaçi: Të kthehemi në kontribuues i sigurisë në rajon dhe më gjerë

“Duke parë këto të arritura të FSK-së, jemi të bindur që kjo forcë është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, detyra të reja dhe të kontribuojë për paqen dhe sigurinë përtej Kosovës. Si Kosovë synojmë që nga një konsumues i resurseve të NATO-së  të kthehemi në kontribuues i sigurisë në rajon dhe më gjerë, së bashku me NATO-në të punojmë për paqen në botë. Jemi duke bashkëpunuar me NATO-në dhe partnerët tanë që të realizojmë këtë transformim dhe këtë aspiratë“, tha ai.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha tha se FSK është bërë forcë e besueshme dhe e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Berisha: Të shndërrohemi nga konsumues të sigurisë në ofrues të sigurisë

“Jemi të gatshëm që me këto kapacitete ekzistuese të shndërrohemi nga konsumues të sigurisë në ofrues të sigurisë për të gjithë qytetarët dhe më gjerë “, tha Berisha.

 Me këtë ceremoni u tha se po vlerësohen të arriturat e FSK-së në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj, duke theksuar avancimin e pjesëtarëve të FSK-së në ngritjen e tyre profesionale si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Thaçi: Afër ta bëjmë ushtrinë bashkë me NATO-n

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë edhe njëherë qëndrimin e tij rreth transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Thaçi ka pohuar se janë duke punuar ngushtë me NATO-në, që Forca e Sigurisë së vendit të shndërrohet në Ushtri e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Këto deklarime Presidenti Thaçi, i dha sot gjatë pjesëmarrjes së tij në ceremoninë e gradimit të pesë pjesëtarëve të komuniteteve në kuadër të FSK-së, ndërsa ka shtuar se kjo forcë çdo herë po dëshmon se është shtëpi e të gjithëve.

I pari i vendit tutje ka shtuar se është një privilegj për të ndjekur së afërmi të arriturat e FSK-së në përgjithësi, forcë kjo sipas tij e cila është në shërbimin e të të gjithë qytetarëve të saj.

Në përfundim të fjalimit të tij në këtë ceremoni, Presidenti Thaçi ka shprehur dhe falënderime ndaj shteteve mike të Kosovës, që të cilat po e mbështesin vendin që udhëheq në krejt këtë rrugëtim.

***

Sot mbahet ceremonia e gradimit të tre pjesëtarëve të komunitetit serb në FSK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat