Rrëfimi i Zëvendësministrit për veturën zyrtare të parkuar para motelit

Aktuale

Rrëfimi i Zëvendësministrit për veturën zyrtare të parkuar para motelit

Më: 26 nëntor 2017 Në ora: 15:51
Vetura e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ishte e parkuar mbrëmë para një hoteli në Malishevë

Vetura e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ishte e parkuar mbrëmë para një hoteli në Malishevë. Ishte në pronësi të Zëvendësministrit Faton Thaçi, i cili ka dhënë dy versione se pse vetura e tij u gjend para objektit ku bëhen pushime. Së pari, ai ka thënë se s’ka lëvizur prej të premtes nga Prishtinë. Kurse në versionin e dytë ka pranuar se të premten ishin për festë për lirimin e Fatmir Limajt. Në Qeveri kanë thënë se do të marrin masa nëse vërtetohet se vetura e Shteti është keqpërdorur.

Vetura e cila ishte e parkuar në oborrin e një moteli, me targa 3z-118-15, në Malishevë, është e Zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi.

Se vetura ishte e MTI’së, fillimisht, e kishte konfirmuar Qeveria e Kosovës. Ia kishte dërguar dokumentin me të cilin vërtetohej se targat e automjeteve që mbarojnë me 15 janë të MTI’së.

Zëvendësministri Thaçi kur ishte kontaktuar për herën e parë kishte mohuar se ka lëvizur nga Prishtina prej të premtes. E kishte përmendur edhe të enjten. Ishte betuar moralisht dhe kombëtarisht s’e nuk ishte të shtunën mbrëma në motel.  Kishte thënë se ka vetëm katër ditë që është bërë i dyti në MTI. Ka thënë se nuk e di nëse vetura me targat 3z-118-15 është në shfrytëzim prej tij.

“Vetura ime dhe unë personalisht nuk jam larguar prej Prishtinës prej të premtes, të enjtes”, ka thënë Thaçi, kur për herë të parë është pyetur pse vetura e MTI’së ishte mbrëmë e parkuar te një motel.

 “Mbarmë kinse e paskan pa veturën time a? Me jetë garantojë që nuk është vetura ime ajo”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, kur media ka kontaktuar me Ministrin e MTI’së, Bajram Hasani, i cili, fillimisht,  kishte thënë se nuk e di nëse vetura me targa 3z-118-15 ishte e MTI’së. Kishte kërkuar kohë të verifikonte. Në telefonatën e dytë për media, Hasani kishte pranuar se vetura ishte e MTI’së derisa kishte thënë se krejt ngjarjen duhet ta sqarojë Zëvendësministri Faton Thaçi.

“Po ua jap numrin e zëvendësministrit me fol  me te. Jam duke u nis për Shqipëri, por folni me Faton Thaçin. Ai jep përgjigjen. Besoj që Fatoni e di rastin dhe ua shpjegon”, ka thënë Hasani, të dielën.

Isha në Prishtinë, isha në Malishevë

Në telefonatën e dytë, Zëvendësministri Faton Thaçi, ka dhënë version tjetër. Ka pranuar se vetura e Shtetit, me targa 3Z-118-15 është në shfrytëzim prej tij. E ka pranuar se, megjithatë, ka lëvizur me veturën e Shtetit. Por, jo të shtunën. Ka thënë se të premten ishte në festë, jo te moteli, ku shihet se është parkuar vetura, por te një restorant tjetër. Sipas tij, ishin në festë për lirimin e Fatmir Limajt.

Ndërkohë, në Express, kanë ardhur disa fotografi të zyrtarit të Shtetit, i cili me veturë zyrtare shkon te një motel derisa veturën e parkon në parking. Fotot i kanë dërguar katër burime të ndryshme. Njëri prej tyre ka kaluar kah moteli kur e ka parë veturën e Shtetit. Kanë treguar se pasi është publikuar fotografia, disa njerëz privatisht, kanë nisur hetime për të zbuluar se kush ishte autori i fotografive.

“Po ta vërtetoj që kerri nuk ka qenë mbrëmë apo parmbrëmë, kur ju paskët shkrujtë me 26’in. Nuk është e vërtetë.  E dyta, kerri jem, shoferi kanë qenë në festë kur të premten është liru lideri jonë. Jemi shku me festu për lirimin e liderit tonë. Unë jam nis  liderin me shku me festu bashkarisht. Unë si zv ministër kam të drejtë me e shfrytëzu automjetin me udhëzim administrativ”, ka thënë Thaçi, kur ka pranuar se ka shfrytëzuar vetën e Shtetit.

Ndërkohë, në Zyrën e Kryeministrit kanë konfirmuar se Ramush Haradinaj bazuar në të gjeturat e këtij rasti do të marrë masa ligjore. Kanë thënë se menjëherë do të kërkojnë raport nga Zëvendësministri Thaçi, por edhe nga Shefi i tij, Bajram Hasani.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës, ka më shumë se 60 Zëvendësministra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat