Thaçi: Kosova e Maqedonia s’kanë çështje të hapura

Aktuale

Thaçi: Kosova e Maqedonia s’kanë çështje të hapura

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 18:01
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev kanë vlerësuar pozitivisht faktin se dy vendet nuk kanë çështje të hapura, derisa të dyja vendet do ta ndihmojnë njëra-tjetrën drejt integrimeve euro-atlantike.

Pas takimit me kryeministrin maqedonas, kreu i shtetit theksoi se të dy vendet fqinje me një frymë, përkushtim dhe vizion euro-atlantik janë të përcaktuara të bashkëpunojnë ngushtë mes vete.

Presidenti Thaçi shtoi se Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, pasi çështjen e demarkacionit e kanë përmbyllur me sukses dhe tash është momenti që të hapet një kapitull i ri në të gjitha sferat institucionale në mes dy shteteve.

Thaçi: Kosova e Maqedonia të mishëruara me vlerat euroatlantike

“Të dy vendet tona janë mishëruara me vlerat euro-atlantike për anëtarësim në NATO dhe BE dhe unë kam besim se do t’ia lehtësojmë njëra tjetrës rrugëtimin tonë. Është fat që mes dy vendeve tona nuk ka ndonjë çështje të hapur, prandaj unë besoj se edhe vizita e kryeministrit Zaev në Prishtinë do të hap një mundësi të re për raportet tona të shkëlqyera mes vete. Vetëm fqinjësia e mirë është faktor përcaktuar për të ardhmen tonë euroatlantike të përbashkët të rajonit”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit, shtoi se Kosova respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe mbështet fuqishëm implementimin e marrëveshjes së Ohrit.

Edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, vlerësoi pozitivisht mos pasjen e asnjë çështje të hapur mes dy vendeve, pasi kjo do të ndihmojë që ta mbështesin njëra-tjetrën në integrimin euro-atlantik.

Zaev po ashtu tha se gjatë takimeve të tij me liderët , u përkushtuan në detaje për të parë mënyrën sa më të mirë për të përforcuar bashkëpunimin mes dy vendeve për të dërguar mesazh pozitiv që të reflektohet me bashkëpunim edhe mes qytetarëve.

Zaev: Konstatuam se demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi mund t’i gjendet zgjidhje    

“Për fat të mirë Kosova dhe Maqedonia nuk kanë çështje të hapura që do të thotë do të vazhdoj mbështetja e ndërsjellë në rrugëtimin tonë drejt integrimet euro-atlantike. E përshëndetëm faktin se Bullgaria dhe Austria do të jenë kryesuesit e ardhshëm me BE-në, ne i konsiderojmë këto vende mike që do të ndihmojnë procesin integrues të Kosovës dhe Maqedonisë. E përmendem marrëdhëniet tona si ato mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e hapur rreth emrit. Po ashtu, çështjen që Kosova e ka të hapur me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit dhe konstatuam se për këto çështje mund të gjendet zgjidhje. Gjithashtu diskutuam edhe dialogun që po zhvillohet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne japim mbështetjen në gjetjen e një zgjidhje që do të nxisë dhe hap rrugën për një bashkëpunim gjithëpërfshirës në gjithë rajonin”, theksoi Zaev.

Kryeministri maqedonas shtoi se në takim me presidentin, mori mbështetjen e tij për një projekt të një kalimi të quajtur “One stop shop” doganor, ku do të bëhet zhdoganimi i mallrave, e po ashtu edhe në drejtim të uljes së pritjes së udhëtarëve dhe mallrave, pasi kjo do të nxisë bashkëpunimin mes bizneseve.

Nga presidenca e Kosovës, kryeministri Zaev ka shfrytëzuar rastin që t’iu dërgojë mesazh qytetarëve të Maqedonisë që sot e kanë një dëshmi të vërtetë të miqësisë mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Ndërsa, i pyetur rreth deklaratave të Wolfgang Petrisch, se Shqipëria nuk duhet të luajë rol të njëanshëm për Kosovën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se për Kosovën vendosin vetëm institucionet e Kosovës.

Thaçi: Për Kosovën vendosin institucionet e veta

“Çdo përmirësim i mëtutjeshëm të raporteve 60 vjeçare në mes Shqipërisë dhe Serbisë për Kosovën dhe rajon është me interes, por për Kosovën flet vetëm Prishtina dhe institucionet legjitime dhe përfaqësuese të saj. dhe Prishtina vendos dhe askush tjetër”, u shpreh Thaçi.

Gjatë ditës kryeministri i Maqedonisë është pritur edhe nga homologu i tij Ramush Haradinaj, ku pas takimit ka vizituar edhe kompaninë “Vitaminka Trade”. Po ashtu, Zaev është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat