Thaçi: Ta mbyllim kapitullin e luftës, ta hapim atë të paqes

Aktuale

Thaçi: Ta mbyllim kapitullin e luftës, ta hapim atë të paqes

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 10:13
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar)- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në takim të Ekipit Përgatitor për themelimin e komisionit, për të vërtetën dhe pajtimin, tha se duhet të mbyllet kapitulli i luftës dhe të hapet ai i paqes, për gjeneratat e reja, të cilat vijnë.

Ai falënderoi dhe ambasadorët dhe organizatat ndërkombëtare,  që kanë përkrahur këtë iniciativë, për të cilën tha se sikurse dhe ai dhe ata i kanë pasur të njëjtat dilema, shqetësime  dhe frikë, por dhe të njëjtat shpresa dhe besim.

Thaçi: Ta mbyllim kapitullin e luftës

“Kanë kaluar gati dy dekada, që nga përfundimi i luftës. Kur sot udhëton nëpër Kosove, gati se nuk sheh më fare  gjurmë të konfliktit. Por kanë mbetur ende plagë në zemrat e viktimave. Këto shpesh bëhen pengesë,  për të ardhmen e vendit tonë. Prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të vërteten dhe pajtim, që ta mbyllim kapitullin e luftës dhe ta hapim atë të paqes për gjeneratat të cilat vijnë. Në thelb të punës së komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre të të gjitha etnive”, tha ai.    

Thaçi tha se nder iniciativat e para që ka marrë si president i Republikës së Kosovës, ka qenë dhe iniciativa për themelimin e komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, iniciativë kjo e cila ka zgjuar reagime, të cilat dhe janë pritur.

Por tha se nuk kanë pritur që kjo iniciativë të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërmuese e shoqërisë dhe institucioneve kosovare, gjë që i ka inkurajuar dhe obliguar që të lëvizin me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt.

Thaçi: Është iniciativë komplekse me shumë pikëpyetje

“Është e qartë se kjo iniciativë është iniciativë komplekse me shumë pikëpyetje. Gjithashtu, e kemi parë se gjithë sektorët e shoqërisë, janë të gatshëm të kontribuojnë në ndërtimin e një komisioni sa më të suksesshëm. Kemi kuptuar që hapat e ndërmarrë  para themelimit të komisionit, janë qenësor për një komision të suksesshëm. Prandaj, kemi vendosur të lëvizim me maturi, duke themeluar ekipin përgatitor. Punë e pjesëtarëve të këtij ekipi, është që të shqyrtoj me përpikëri çdo sfidë, çdo pikëpyetje dhe mundësi që komisioni të jetë i suksesshëm në punën e tij”, tha ai.

Ndërsa Kushtrimi Koliqi, njëri nga anëtarët e ekipit përgatitor nga shoqëria civile, tha se është e vështirë që të merren me trashëgimin e luftës, por dikush duhet të merret me këtë.

Koliqi: Është e vështirë me u marrë me trashëgiminë e luftës

“Ky është fillimi i punës konkrete që kanë me u bë  me përgatit terrenin për të themeluar një komision që mëton të jetë i suksesshëm. Ne e dimë dhe duhet me qenë të vetëdijshëm, sa do përgatitje që mundemi për të investuar, sado energji mundemi me investuar, është shumë e vështirë me u marrë me trashëgiminë e luftës.  Por sidoqoftë dikush duhet të merret me këtë trashëgimi. Dhe ndërmjet këtij mekanizmi alternativ, siç është komisioni për të vërteten, ne mëtojmë dhe si shoqëri dhe si shtet me u marrë seriozisht me trashëgimin e luftës”, tha Koliqi. 

Bajram Qerkini nga Shoqata e familjarëve të të zhdukurve, tha se  nuk janë ngutur për një iniciativë të tillë, por janë vonuar. 

Qerkini: Nuk jemi ngutur, por jemi vonuar

“Për mua duhet të kuptoj çdo njëri dhe ai në qoftë se është në shkollë fillore, jo disa njerëz që po thonë çka është ky pajtim. Kjo është për të ditur të vërtetën. Po ia nisim një problemi goxha të madh, i cili në opinion goxha do ta shohin si mua që më thonë hej je ngut pak. Nuk jam ngut por jemi vonuar. Se fëmija tanë duhet ta dinë të vërteten,  por dhe duhet të pajtohen në atë çka e kanë gjet e shpresoj që më nuk përsëriten, por rehatohen të gjithë familjarët, që i kemi brenga shumë të mëdha”, tha ai.

Ndërkaq ambasadori britanik në Kosovë Ruari O'Conell, pohoi se e  vlerësojnë këtë iniciativë, e cila është e  nevojshme për Kosovën. 

O’Conell: Iniciativë e nevojshme për Kosovën

“Është e qartë se duhet të jenë kosovarët që e trajtojnë procesin. Ne si miq të Kosovës, mund të kemi  vetëm një rol mbështetës, përkrahje konkrete por kjo është proces për Kosovën. Më vjen shumë mirë që është lansuar dhe është marrë një hap sot.  Nëse keni nevoje për ndihmë, për mbështetje do të jemi atje. Është shumë e rëndësishme, sidomos për rininë që te kuptojnë të vërtetën,  çfarë ka ndodhur,  por  gjithashtu të pajtohen që të mos përsëritet më konfliktet dhe luftën siç ka qenë në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, Ekipi Përgatitor për themelimin e komisionit, është i përbërë prej nëntë anëtarëve. Pesë janë  nga shoqëria civile. Ndërsa katër nga ta do të përfaqësojnë institucionet e shtetit të Kosovës, Presidencës, Kryeministrisë dhe Parlamentit.

***

 Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka prezantuar sot ekipin përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin si hapin e pare drejt konkretizimit të kësaj iniciative.

Presidenti tha se kjo iniciativë ka zgjuar reagime që janë pritur por nuk kanë pritur se do të ketë përkrahje të  tillë.

“Që nga prezantimi i idesë kemi studiuar raste të ngjashme nga i tërë globi. Është e qartë se kjo është një iniciativë komplekse me shumë pikëpyetje. Kemi kuptuar që hapat e ndërmarrë janë qenësore për  një komision të tillë. Kemi vendosur të lëvizim me maturi. Puna këtu nuk ka përfunduar. Në fakt vetëm sa ka filluar”, tha presidenti.

Përkrahja sipas presidentit Thaçi do të jetë e nevojshme edhe në vitet e ardhshme ndërsa tha se kanë pasur dilema dhe frikë nëse do ta merr përkrahjen nga opinioni.

Thaçi përmendi edhe pasojat e luftës ku sipas tij edhe pas dy dekadave kur  udhëton nëpër Kosovë nuk sheh gjurmë të asaj lufte por ka plagë ende në zemrat e viktimave.

“Kam formuar komisionin ta mbyllim kapitullin e luftës dhe ta hapim atë të paqes për gjeneratat të cilat vijnë. Te mos lejojmë të përsëriten më dhimbjet e luftës. Ajo që synojmë është që të ndërtojmë një narrativ të unifikuar për të kaluarën tonë”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi në takimin e Ekipit Përgatitor për të Vërtetën dhe Pajtimin (Drejtpërdrejt)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot merr pjesë në takimin e Ekipit Përgatitor për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat