Gazi lotsjellës i çon në gjykim 15 deputetë e ministra

Aktuale

Gazi lotsjellës i çon në gjykim 15 deputetë e ministra

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 15:40
Kuvendi i Kosovës, 26 shkurt, 2016

Janë 15 zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovë, përfshirë deputetë dhe ministra, ndaj të cilëve është hapur procedurë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës gjatë mandatit të kaluar të Kuvendit.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, thanë për Radion Evropa e Lirë, se në procedurë gjyqësore janë disa raste që ndërlidhen me deputetë të Kuvendit të Kosovës, për veprat penale të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Zyrtarët, ndaj të cilëve janë të hapura procedurat gjyqësore u takojnë tri partive politike, përkatësisht ata janë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë.

Këto tri parti politike, gjatë mandatit të kaluar të Kuvendit përbënin opozitën. Kurse aktualisht, në opozitë është Vetëvendosje, kurse AAK dhe Nisma janë në koalicionin qeverisës.

Procedurat, sipas Gjykatës Themelore janë hapur ndaj: Albin Kurtit [VV], Faton Topallit [VV], Donika Kadaj-Bujupit [VV], Albulena Haxhiut [VV], Besa Baftijat [VV], Pal Lekajt [AAK], Fisnik Ismajlit [VV], Enver Hotit [Nisma], Shqipe Pantinës [VV], Mytaher Haskukajt, [VV], Rexhep Selimit [VV],Time Kadrijajt [AAK], Glauk Konjufcës [VV], Aida Dërgutit [VV] dhe Teuta Haxhiut [AAK].

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, por edhe gjatë seancave pasuese, deputetët e opozitës, që në atë kohë u takonin subjekteve politike Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, duke kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kanë hedhur gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, duke pamundësuar kështu disa herë radhazi mbajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, Gjykata po procedon me gjykimin e deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, po mbahen në paraburgim, ndërkohë që Albulena Haxhiu e Faton Topalli nuk kanë ndonjë masë të shqiptuar nga gjykata.

(Video: Kuvendi i Kosovës, 19 shkurt, 2016)

Por, jo vetëm opozitarët janë ata që po përballen me procese gjyqësore për shkak të gazit lotsjellës.

Pal Lekaj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, aktualisht Ministër i Infrastrukturës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë seveprimet të cilat janë ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, me hedhjen e gazit lotsjellës, sipas tij, ‘kanë qenë veprime për të mbrojtur territorin e vendit dhe për të forcuar shtetin’.

"Gjykata Themelore, duhet të marrë vendime çfarë duhet të jenë në favor të deputetëve dhe asnjë vendim tjetër... dhe ndoshta është precedent që deputetët të mos veprojnë edhe atëherë kur duhet vepruar për të mbrojtur [vendin ] dhe betimin që e kanë dhenë për të mbrojtur vendin", tha Lekaj.

Ministri Lekaj thotë se në rast se gjykata merr një vendim dënues për të, atëherë ai do të tërhiqej nga posti i ministrit.

"Me siguri që do të jap dorëheqje sepse çdo vendim i gjykatës për mua është i zbatueshëm", tha Lekaj.

Nga ana tjetër, ish-kryeprokurori i Shtetit, Tahir Rrecaj, aktualisht avokat, sqaron se nëse deputetët për këtë vepër shpallen fajtorë, ekzistojnë mundësi për ankesa në shkallë të ndryshme të gjykatave.

"Nëse shpallen fajtorë [deputetët], shkojnë në mbajtje të dënimit dhe mungojnë më tepër se gjashtë muaj, ata e humbin mandatin apo statusin e deputetit në bazë të Kushtetutës dhe zëvendësimi vjen sipas radhës nga lista e deputetëve të partive poetike”.

“Nëse, dënohen me para, deputetët nuk e humbin mandatit, sepse ata nuk mungojnë nga seancat e Kuvendit, kurse sa u takon ministrave, realisht ata nëse gjykohen me një vendim të shkallës së prerë, mund të shkarkohen, por nuk është patjetër”, tha Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Image
Foto nga arrestimi i Albin Kurtit, 24 nëntor, 2017

Nëse deputetët shpallen fajtorë, në bazë të veprave për të cilat dyshohen, ata mund të dënohen nga 1 deri 10 vjet burg ose me 10,000 euro gjobë.

Nga praktika, në rastet kur deputetët (gjatë mandatit të kaluar) janë përballur me gjykime dhe janë shpallur fajtorë, ata kanë dorëzuar mandatin, siç ishte rasti me dënimet e shqiptuara ndaj dy deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Latif Gashi e Rrustem Mustafa./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat