S’ka më vetura të vjetra në Kosovë, nga janari ndryshon gjithçka

Aktuale

S’ka më vetura të vjetra në Kosovë, nga janari ndryshon gjithçka

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Të gjithë ata që dëshirojnë të importojnë automjete më të vjetra se 10 vjet këtë mund ta bëjnë deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Pas këtij viti vetura më e vjetër se 10 vjet nuk do të mundë të regjistrohet në targa të Republikës së Kosovës. Sipas Doganës, ligji i ri për automjete ka rritur për 30 për qind importin e veturave të vjetra.

Qytetarëve të Kosovës iu kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë kohë për të importuar vetura të vjetra. Nga janari i vitit 2018 do të ndryshojë gjithçka. 

Më në Kosovë nuk do të mundë të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet, dhe ato do të duhet të plotësojnë standardin e njohur si "Euro Katër".

E duket se ky vendim ka ndikuar te qytetarët goxha shumë, pasi që nga dogana thonë se është rritur për 30 për qind importi i veturave të vjetra.

“Numri gjatë këtij viti ka arritur në rreth 33000 mijë vetura si të përdorura po ashtu edhe të reja me vlerë prej 176 milionë euro”, ka thënë Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës. 

Gjatë këtij vitit, sipas Stavilecit, kishte import prej 30300 copë vetura të përdorura derisa të reja janë rreth 2500 copë.

“Rritja në krahasim me vitin e kaluar është për rreth 30% më shumë pasi vjet kishim rreth 23 mijë vetura”. 

Gjatë këtij viti kishte import prej 176 milionë eurosh, derisa taksa janë grumbulluar rreth 78 milionë euro.

Veturat që importohen në Kosovë, sipas doganës rreth 80% janë nga Gjermania.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar se ndryshimi i ligjit ka të bëjë me veturat e udhëtarëve pasi tek ato tani do të aplikohen dy kritere, ai i vjetërsisë (kufizimi 10 vjeçar) si dhe kufizimi në emetimin e gazrave pasi ligji kërkon që automjete të jenë me motor të standardit euro 4. 

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Ndërsa, vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 7 mijë 680 vetura, këtu përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vazhdimet, ri -regjistrimet dhe legalizimet.

Ligji për importin e automjeteve është ndryshuar disa herë. Fillimisht u lejua të importoheshin automjete deri në 8 vjet të vjetra, pastaj më 2011 u shtua deri në 13 vjet, për t’u hequr i tëri tash e disa vjet.

Mirëpo me ligjin e ri, jo çdo kush tani mund të ketë veturë në pronësi. Kjo pasi që ligji i ri për automjete që ka hyrë në fuqi më 27 qershor 2017, ka sjellë ndryshime në disa norma për regjistrimin e automjeteve.

Në bazë të këtij ligji detyrimisht pronari i automjetit, me rastin e regjistrimit duhet të posedoj patentë-shofer. 

“Përdoruesi i mjetit ose bartësi i të drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret”, thuhet në ligjin për automjetet.
Ata që kanë gjoba të pa paguara në komunikacion do të duhet t’i paguajnë, ndryshe nuk do të mund ta regjistrojnë veturën. 

Me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë. “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat