Shpallen fajtorë deputetët e Vetëvendosjes

Aktuale

Shpallen fajtorë deputetët e Vetëvendosjes

Më: 3 janar 2018 Në ora: 07:17
Deputetët e VV-së

(E plotësuar) - Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtorë katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke i dënuar me 5 vjet e pesë muaj burgim me kusht.

Katër të akuzuarit nuk kanë qenë të pranishëm në seancën ku u shpall aktgjykimi.

Kryetari i Trupit Gjykues, Beqir Kalludra ka shpallur aktgjykimin, duke ua shqiptuar dënimet për atë që të akuzuarit janë gjetur fajtorë, hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personave zyrtarë gjatë kryerjes së punës zyrtare.

Kështu deputeti Albin Kurti dhe  deputetja Donika Kadaj Bujupi u dënuan me kohëzgjatje të njëjtë burgimi, prej 1 vit e 6 muaj burgim, Albulena Haxhiu me 1 vit e 3 muaj dhe Faton Topalli me 1 vit e 2 muaj.

Kalludra: 1 vjet e 6 muaj burgim për Albin Kurtin

“Gjykata konform dispozitave ligjore i gjykon: të akuzuarin Albin Kurti për veprën penale në vazhdimësi, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm  me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muaj. Për veprën penale në vazhdimësi, pengim i personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Kështu që konform nenit 80, paragrafi 2 pika 2.2 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës, të njëjtit i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj”, tha Kalludra duke lexuar aktgjykimin.

Por, dënimet e shqiptuara me burgim nuk do të ekzekutohen nëse të njëjtit, gjatë dy viteve nuk kryejnë vepra të tjera penale.

Kalludra bëri të ditur se mbrojtja ka të drejtë që brenda 15 ditësh të parashtrojë ankesë.

Avokati i Faton Topallit, Haxhi Millaku, tha se sot nuk është i rëndësishëm dënimi, duke i kushtuar vëmendje më të madhe gjetjes fajtorë të deputetëve të dënuar që sipas tij dëshmon se ka qenë intencë e Prokurorisë që këta të fundit me çdo kusht të shpallen fajtorë.

Ai theksoi se do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, prej ku presin aktgjykim lirues.

Millaku: Presim aktgjykim lirues

“Ne konsiderojmë se ky verdikt si i tillë nuk do të qëndrojë sepse mundësinë e ankesës ne do ta shqyrtojmë dhe Gjykata e Apelit do ta ketë rastin që ta përsërit këtë çështje ose ta rikthejë ne gjykim apo t’i shpallë të pafajshëm. Ne presim aktgjykim lirues”, tha ai.

Të katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë dënuar për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe.

Pas këtij dënimi kanë reaguar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, nënkryetari i VV-së Dardan Sejdiu, ish-kryetari i kësaj Lëvizje Visar Ymeri, ish-sekretari Dardan Molliqaj dhe anëtarë tjerë të kësaj Lëvizje. Në lidhje me vendimin që ka marrë sto Gjykata Themelore në selinë e VV në orën 15:00 do të mbahet një konferencë për media. 

Shpallen fajtorë deputetët e Vetëvendosjes

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për gazin lotsjellës të hedhur në ambientet e Kuvendit.

Gjykata i ka shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Të akuzuarit nuk ishin në seancën e sotme kur u bë shpallja e aktgjykimit.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin  e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Pas shumë seancave gjyqësore, ku u panë përballje të ashpra verbale e nganjëherë edhe ofendime, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës do të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.

Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.

Madje, prej disa prej të akuzuarve u tha se ndihen krenarë për veprimet që i ndërmorën ndërsa se veprimet e tyre ishin të drejta, të gjithë deputetët e akuzuar të këtij rasti përmenden vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjeti se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Policia rrethon objektin e gjykatës ku pritet të shpallet vendimi për deputetët e VV-së

Sot shpallet verdikti ndaj Albin Kurtit dhe 3 deputetëve të Vetëvendosjes, që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend

Forca të shumta të policisë janë parë rreth ndërtesës ku pritet të nisë seanca.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli akuzohen se veç e veç kryen veprat penale “të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Vendimi pritet të jepet në orën 13:00 dhe tashmë njësitet e Policisë së Kosovës kanë rrethuar objektin e gjykatës.

Shpallet aktgjykimi ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes

Pak më shumë se dy vjet pas ngritjes së aktakuzës për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës, katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sot do të mësojnë epilogun e gjykimit të tyre.

Kjo pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës në orën 13:00 do të shpallë aktgjykimin ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Faton Topallit dhe Donika Kadaj-Bujupit.    

Të katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin  e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Mbrëmë deputetja Haxhiu ka paralajmëruar se nuk do të shkojnë në seancën ku pritet shpallja e aktgjykimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat