Deputetët të vendosur t’i japin një përgjigje Demarkacionit

Aktuale

Deputetët të vendosur t’i japin një përgjigje Demarkacionit

Më: 4 janar 2018 Në ora: 16:10
Kuvendi i Kosovës, 7 shtator 2017

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi vazhdon të mbetet një prej sfidave më të mëdha për institucionet e Kosovës. Qeveria tashmë e ka dërguar projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovë, bashkë me të gjeturat e reja nga Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare.

Se a do të ratifikohet kjo marrëveshje, dilemat ekzistojnë tash e tri vjet, ngaqë spektri politik mbetet i ndarë, përderisa nevojiten 80 vota për miratim.

Gjasat që Demarkacioni të ratifikohet mbeten mjaft të vogla, për faktin që janë dy parti në pushtet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, si dhe një parti në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, që janë pozicionuar kundër marrëveshjes.

Në anën tjetër, zyrtarët e lartë shtetërorë, që e mbështesin marrëveshjen, thonë se kjo çështje duhet të përfundojë brenda muajit janar, në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të mbetet e izoluar. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar spektrin politik që të jetë i përgjegjshëm dhe i përgatitur që deri në fund të këtij muaji t’i kryejë obligimet që kanë të bëjnë me demarkacionin.

Në favor të përmbylljes së vendimmarrjes rreth Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të nënshkruar qysh në gusht të vitit 2015, shprehen edhe deputetët të cilët nuk e përjashtojnë as mundësinë që ratifikimi të dështojë. Por, sipas tyre, me rëndësi është që çështja të mos mbetet më pezull dhe të marrë një përgjigje nga Kuvendi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e Demarkacionit duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi si proces është stërzgjatur. Kuçi ka përsëritur qëndrimin e AAK-së se vota e deputetëve të tyre do të jetë kundër marrëveshjes ekzistuese.

"Zoti Haradinaj si kryeministër, si Qeveri, marrëveshjen e ka sjellë në Kuvend. Mekanizmat e Kuvendit duhet ta sjellin [në seancë], aty bëhet debati, vendoset kalon apo nuk kalon. Nëse kalon, kalon. Është një proces demokratik i njohur dhe nuk ka asgjë të keqe në ketë çështje", tha Kuçi.

Ai tha se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të vonojë më me procesin e Marrëveshjes së demarkacionit, por sipas tij, duhet të vendoset brenda afateve ligjore.

"Vendimi tash do të jetë më i lehtë për deputetët. Po mendoj që do të jetë më i lehtë sepse kanë njohuri të bollshme për të vendosur për apo kundër. Por, edhe nëse është kundër edhe ai është proces demokratik. Nuk ka arsye që kjo marrëveshje të vonohet më",u shpreh Kuçi.

Kurse, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha për Radion Evropa e Lirë se më e mira e mundshme lidhur me çështjen e Marrëveshjes për demarkacionin do të ishte sikur ajo të mos nënshkruhej në kohë. Sipas tij, marrëveshja në Kuvend duhet të shqyrtohet dhe ashtu siç është edhe të refuzohet.

"E gjitha çka duhet të ndodh, duhet që kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës të refuzohet si e tillë dhe të shfuqizohet. Kuvendi i Kosovës duhet t'i thotë jo këtij dëmi të madh të shkaktuar edhe nga Qeveria e kaluar e Kosovës", theksoi Selimi.

Aktualisht, Kosovës sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, i kanë mbetur dy kriteret e fundit për të arritur deri të procesi i liberalizimit të vizave, ku bëjnë pjesë, luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi.

Deputeti Rexhep Selimi konsideron se çështja e Demarkacioni nuk është dashur të lejohet e as të pranohet si kriter për liberalizmin e vizave nga ana e udhëheqësve të institucioneve.

"Protagonistët që po merren më procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën, ata mund ta bllokojnë Kosovën edhe pa këtë kusht. Por, sido që të jetë ky kusht nuk do të duhej të ishte për Kosovën ashtu siç nuk ishte për asnjë nga shtetet në rajon. Është një kusht i padrejtë, dhe ne nuk mund ta pranojmë një padrejtësi më një çmim i cili do të ishte i madh për Kosovën në ketë rast", tha Selimi.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Atë kohë, parti partnere në qeverisje ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, as ai koalicion nuk kishte arritur t’i siguronte 80 vota në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes.

Zyrtarë nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar që institucionet tëmos vonojnë në përmbushjen e kritereve, nëse synojnë liberalizimin e vizave në një afat më të shpejtë./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat