Kadri Veseli ka edhe lidhje biznesore në Zvicër

Aktuale

Kadri Veseli ka edhe lidhje biznesore në Zvicër

Më: 5 janar 2018 Në ora: 22:57
Kadri Veseli

Pas kryeministrit Ramush Haradinaj i cili qëndroi në qendrën turistike Saint Moritz në Zvicër, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli zgjodhi këtë shtet për të kaluar pushimet. Mirëpo, Veseli ka edhe lidhje biznesore në shtetin zviceran.

Kadri Veseli ka zgjedhur Zvicrën për të kaluar pushimet në këtë fillim të vitit 2018. Kreu i Kuvendit të Kosovës është fotografuar sot në njërin nga aeroportet e Zvicrës.

Pas kryeministrit Ramush Haradinaj i cili qëndroi në qendrën turistike Saint Moritz në Zvicër, edhe Veseli zgjodhi këtë shtet për të kaluar pushimet.

Mirëpo, Veseli ka edhe lidhje biznesore në shtetin zviceran.

Image
Kadri Veseli me familjen e tij në njërin nga aeroportet e Zvicrës

Siç kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, në vitin 2012, Veseli kishte në bashkëpronësi një kompani në Zvicër që merret me tregtinë e kompjuterëve. Bëhet fjalë për kompaninë “FK Computers”, e cila u regjistrua edhe në Kosovë si biznes individual.

Këtë kompani, Kadri Veseli e kishte themeluar në fillim të viteve 1990 në Zvicër, bashkë me Fisnik Cukajn, ish-anëtarin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) – pjesë e së cilës kishte qenë edhe kryeparlamentari i Kosovës.

Sipas regjistrimit të biznesit në Zvicër, pronarë aksionesh në të ishin Fisnik Cukaj e Kadri Veseli.

Sipas asaj që kishte raportuar Gazeta JNK, në vitin 2007 kjo kompani erdhi në Kosovë duke hapur një zyre në Pejë. “FK Computers” u regjistrua në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë si biznes individual e jo si kompani e huaj edhe përkundër marketingut të saj se bëhej fjalë për një kompani me përvojë 10 vjeçare nga Zvicra.

Image
Uebsajti i kompanisë FK Computers

Pronar i saj në Kosovë figuronte Kushtrim Cukaj, një i afërm i Fisnik Cukajt, nga Peja.

Si pronarë të saj në Kosovë nuk u regjistruan as Fisnik Cukaj e as vetë Kadri Veseli i cili më 2007 ende ishte zyrtarisht shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) që EULEX-i e quante organizatë kriminale.

Nën emrin Kadri Veseli, si pronar i vetëm, figuronte edhe “Restaurant Bar Veseli” me adresë në Biel Bienne të Zvicrës. Por, Hylmi Veseli, kushëriri i Kadri Veselit kishte mohuar se kompania në fjalë është në pronësi të axhës së tij.

Kushëriri i Kadri Veselit kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk bëhet fjalë për axhën e tij por për një person me emrin e mbiemrin e njëjtë — Kadri Veseli — me adresë në Biel.

Kadri Veseli, së paku deri në vitin 2012, ka shërbyer si shef ekzekutiv i kompanisë “Kobit PC” që është ende i regjistuar si biznes në Kosovë. Në të dhënat zyrtare të kësaj kompanie, figuron si drejtor menaxhues Hylmi Veseli, kushëriri i kryeparlamentarit të Kosovës.

Në Kobit PC, që ka zyre në Prishtinë e Mitrovicë, siç kishte deklaruar për Gazetën JNK Hylmi Veseli, punon si menaxher i saj Kadri Veseli.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit emri i njeriut që udhëhoqi këtë shërbim nuk figuron si pronar i kësaj kompanie.  “Kadri Veseli është udhëheqësi kryesor i kompanisë, duke mbajtur një nga pozitat më të larta menaxheriale në kompani si CEO i saj”, kishte thënë Hylmi Veseli, në mars të vitit 2012.

Siç kishte treguar vet Hylmiu, kjo kompani importon kompjuterë nga Zvicra. /Insajderi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat