Marrëveshja për demarkacionin javën e ardhshme shkon në Kuvend

Aktuale

Marrëveshja për demarkacionin javën e ardhshme shkon në Kuvend

Më: 10 janar 2018 Në ora: 12:47
Shqyrtimi i marrëveshjes së demarkacionit Malit të Zi,

Shqyrtimi i marrëveshjes së demarkacionit Malit të Zi, pritet që javën e ardhshme të dërgohet në seancë.

Këtë e ka konfirmuar për Time Kadrijaj, nënkryetare e komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Ajo tha se të hënën komisioni do ta shqyrtojë këtë marrëveshje dhe me ose pa pëlqimin e anëtarëve do të dërgohet në seancë.

Çështja e demarkacionit, që i ka sfiduar deputetët që nga viti 2015, pritet që gjatë javës së ardhshme të shkojë në seancë për shqyrtim. Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, të hënën pritet që t`ia dërgojë kryesisë e cila më pas do ta procedojë për ratifikim në seancë. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, nënkryetarja e këtij komisioni Time Kadrijaj.

“Me apo pa pëlqimin e Komisionit kjo çështje duhet të procedohet më tutje. Nëse i merr votat kjo procedohet me pëlqim të Komisionit i cili jep rekomandime me u votuar. Ose, nëse më shumë janë vota kundër sesa pro Komisioni përsëri do ta procedojë duke rekomanduar që mos të votohet. Sido që të jetë, me apo pa pëlqimin e Komisionit kjo duhet të procedohet më tutje”

Mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi gjatë këtij muaji, vlerësohet se do ta zgjas edhe më tepër izolimin e qytetarëve.

Nëse në janar nuk ratifikohet kjo marrëveshje proceduralisht autoritet në Kosovë rrezikojnë ta humbin shansin që në 2018 të mund të lëvizin pa viza.

Nezir Kraki, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Parisit, thotë për Radio Kosovën se dështimi i ratifikimit do ta krijonte një cikël të ri bllokimi edhe për të paktën dy vjet të tjera.

“Të gjitha vonesat që janë shkaktuar në qeverisjen e kaluar, siç është edhe mos ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, ngecja ne bisedimet me Serbinë, pra të gjitha këto dosje të mëdha që e kanë bllokuar Kosovën, do të futen në një cikël të ri bllokimi edhe ndoshta për dy vjet të ardhshme”.

Me gjithë paralajmërimet për vazhdimin e izolimit të Kosovës në rast të dështimit të ratifikimit gjatë këtij muaji, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se deputetët e AAK-së do të votojnë kundër versionit të komisionit të kaluar.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim sa i përket kësaj çështje. Vota në Komisioni por edhe në seancë do të jetë kundër”.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është kundërshtuar vazhdimit nga AAK dhe Vetëvendosje që nga nënshkrimi i saj në Vjenë në gusht të vitit 2015. Këto subjekte politike, kundërshtimin e tyre e kanë arsyetuar se marrëveshja e Vjenës i humb Kosovës rreth 10 mijë hektarë territor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat