Deda thotë se vendi do të shkojë në zgjedhje në pranverë

Aktuale

Deda thotë se vendi do të shkojë në zgjedhje në pranverë

Më: 10 janar 2018 Në ora: 19:02
Ilir Deda

(E plotësuar) - Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se në pranverën e këtij viti vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kjo qeveri s’ka kredibilitet ta drejtojë vendin”.

“Agjenda për Ballkanin Perëndimor është më me rëndësi se agjendat e partive politike. Po marrim shuplaka fytyrës për shkak të budallallëkut të njerëzve që drejtojnë Kosovën”, ka thënë Deda.

Deda ka thënë se qeveria e drejtuar nga Haradinaj nuk mund të ekzistojë nëse humb përkrahjen e Perëndimit.

“Këta janë dëmtuar shumë, varet si do të sillen karshi demarkacionit. Kur të drejtosh shtetin kredibiliteti dhe besueshmëria janë pjesë bazë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kur del nga binarët bëhesh burim i krizës”.

“Lidershipi i Kosovës, jo vetëm qeveria është bërë burim i krizës”, ka shtuar ai ndër të tjera.

Deda për demarkacionin: Të ulemi të gjithë në tryezë, të gjendet një koncenzus politik

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se Qeveria duhet të thërrasë partitë opozitare për të folur rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të gjendet një koncenzus.

“Të gjithë të ulemi dhe të bisedojmë për demarkacionin, çka do të ndodhë nëse nuk ratifikohet dhe të marrim vendim të përbashkët aq sa është e mundur të jetë i tillë”, ka thënë Deda.

“Duke parë kryeministrin Haradinaj për fat të keq si po sillet. Ajo do të pret që të vjen demarkacioni dhe më pas të thotë se jemi kundër. Gjykata e Arbitrazhit ka thënë që për shtete e ish Jugosllavisë, kufijtë përcaktohen me kriterin e kadastrës”.

Deda ka thënë se në territoret ku nuk ka kadastër përdoret juridiksioni efektiv.

“Republika e Kosovës nuk e ka me letra që Zhlebi dhe Bjelluha i përkasin Kosovës. Këto janë faktet. Duhet diskutuar partitë para se të shkojë në kuvend”.

“Kosova është në situatë të rëndë sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Kosova nëse nuk e ratifikon demarkacionin nuk do të ketë përkrahjen e asnjë shteti perëndimor. Jemi të mbështetur për muri pa asnjë aleat pastaj”, ka pohuar ai në Info Magazine.

Deda ka thënë se për demarkacionin duhet të ketë koncenzus politik.

“Për vendimet e mëdha duhet të ketë koncenzus politik. Demarkacioni mendoj se nuk vjen në kuvend pa u siguruar 80 vota. Besoj që demarkacioni do të vijë në kuvend pas vizitës së kryeministrit malazez në Kosovë”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat