A do të ketë ngritje pagash për mësimdhënësit, flet eksperti i ekonomisë

Aktuale

A do të ketë ngritje pagash për mësimdhënësit, flet eksperti i ekonomisë

Nga Më 10 janar 2018 Në ora: 20:39
Foto ilustrim

SBASHK-u ka kohë që ka nisur mobilizimin për të shkuar deri në fund me kërkesat e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës për ngritje pagash, përcjell “Bota sot”.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, kishte deklaruar se rritja e pagave nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj është në kundërshtim me kohën dhe gjendjen ekonomike në vend. Ai kishte thënë se pagat duhet të rriten jo vetëm për qeveritarët, por edhe për punëtorët.

Gjersa sipas ekspertit të ekonomisë, Nexhat Kryeziu, rritja e pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës pa planifikim mund të sjellë situatë kaotike. Ai kërkon që të ketë edhe një ligj që rregullon një gjë të tillë.

Image
Nexhat Kryeziu

Njohësi i ekonomisë, Nexhat Kryeziu, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se në bazë të asaj çka shihet dhe çka ka deklaruar Qeveria, pagat mund të rriten sa ka qenë edhe rritja ekonomike në Kosovë.

“Në bazë të asaj çka shihet dhe çka ka deklaruar Qeveria e Kosovës, pagat mund të rriten sa ka qenë edhe rritja ekonomike në Kosovë, që është 4 për qind, që nënkupton se edhe pagat e mësimdhënësve mund të rriten deri në këtë përqindje”, tha ai.

Sipas Kryeziut, marrë parasysh rrethanat ekonomike në të cilat po kalon Kosova, rritja e pagave si pjesë e kostove buxhetore për vitin 2018 do të ketë edhe implikime tjera.

“Duke marrë parasysh rrethanat ekonomike në të cilat po kalon Kosova, rritja e pagave si pjesë e kostove buxhetore për vitin 2018 do të ketë implikime tjera në rritjen e qëndrueshmërisë fiskale në Kosovë, do të rritë deficitin buxhetor dhe do të ketë kosto tjera të ndërlidhura me financimin e buxhetit”, u shpreh njohësi i ekonomisë.

Ai thekson se rritja e pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës pa planifikim mund të sjellë situatë kaotike.

“Rritja ad hoc i një pjese të pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës pa planifikim adekuat dhe pa sistematizim të vendeve të punës në sektorin publik, respektivisht në sferën e nëpunësve civil mund të sjellë situatë kaotike dhe efekt domino ku edhe sektorët tjerë të kërkojnë një gjë të tillë”, tha kryeshefi i NPB-së.

Krejt në fund, njohësi i ekonomisë, propozon se duhet të ketë një ligj që rregullon një gjë të tillë, në të kundërtën Kosova rrezikon që një gjë kaq e ndjeshme të rregullohet me vendime parciale e selektive.

“Duhet që të ketë një ligj që rregullon një gjë të tillë, që më sa e di unë ka qenë edhe projekt i ish Qeverisë së kaluar dhe i cili kurrë nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Në të kundërtën Kosova rrezikon nëse një gjë kaq e ndjeshme të rregullohet me vendime parciale dhe selektive, madje edhe më përmbajtjen të konfliktit të interesit, në momente kur i njëjti organ merr vendime për paga të veta”, përfundoi Nexhat Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat