‘Fijet e këputura’ të kryesisë së VV-së

Aktuale

‘Fijet e këputura’ të kryesisë së VV-së

Më: 10 janar 2018 Në ora: 22:17
Albin Kurti dhe Visa Ymeri gjatë një proteste të Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje së fundi është përballur me një numër të konsiderueshme të dorëheqjeve. Kallxo sjell emrat e të gjithë atyre që janë larguar dhe arsyet që i kanë në dhënë në letrat e dorëheqjeve.

Deri më tani, Lëvizjes Vetëvendosje nga kryesia i janë larguar 6 deputetë.

Vetëvendosjes iu largua kryetari i partisë. Visar Ymeri përmes një konference për media, lexoi letrën e dorëheqjes, por që nuk iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ai e cilësoi vendimin e dorëheqjes si një prej vendimeve më të vështira në jetën e tij. Sipas tij, dorëheqja ka ardhur në shenjë mospajtimi.

Vetëm dy ditë më vonë, dorëheqje dha edhe nënkryetari i parë i kësaj partie, Dardan Sejdiu.

“Si pasojë, kam vendosur që nga sot të japë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha nga pozitat e mia drejtuese, në Lëvizjen Vetëvendosje, nga posti i Nënkryetarit të parë të lëvizjes, nga Kryesia e Lëvizjes dhe nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të lëvizjes. Veprimin tim politik do ta vazhdoj si deputet edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në përputhje me bindjet e mija”, kishte shkruar Sejdiu në letrën e dorëheqjes.

Mirëpo listën e madhe të dorëheqjeve e kishte filluar deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti. Ajo kishte dhënë dorëheqja nga të gjitha pozitat drejtuese pas daljes në publik të komunikimeve në Viber, ku Dërguti kishte ofenduar kandidatin për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe themeluesin e kësaj partie, Albin Kurtin.

Dorëheqje dha edhe deputetja Shqipe Pantina e cila tha se dorëheqja po bëhet për shkak të trazirave të fundit që i pati kjo parti.

“Zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, shpifjet, insinuatat e linçimet e vazhdueshme gjatë vitit të fundit e që u shpërfaqën publikisht e masovikisht  në muajt e fundit më kanë bërë të besoj se Lëvizja VETËVENDOSJE!  nuk është ajo të cilës unë i jam bashkuar në vitin 2014”, thuhej në letren e dorëheqjes së deputetes Pantina.

Listës së dorëheqjeve iu është bashkuar edhe deputeti tjetër, Faton Topalli.

Në letrën e dorëheqjes Topalli përmend edhe mospajtime me idenë e mosrespektimit të simboleve shtetërore. Ai kishte kërkuar që këto të respektohen, derisa të arrijnë t’i ndryshojnë ato si dhe se ka qenë pro koalicioneve.

Dorëheqja nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë dje edhe kryetari i ri i Kamenicës, Qëndron Kastrati. Dorëheqja e tij ka ngjallur reagime të mëdha të qytetarëve të Kamenicës të cilët para pak muajve e votuan si kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje.

Listës së deputetëve të dorëhequr iu është bashkuar sot edhe Driton Çaushi që në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës. Ai ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje, përfshirë pozitën e kryetarit të qendrës së Vetëvendosjes në Gjakovë dhe nga anëtari i këshillit të përgjithshëm të kësaj partie.

Dorëheqjen në Vetëvendosje e kishte deponuar para disa dite edhe njëri nga aktivistët më të vjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni.

“Pas një fushate sistematike të shpifjeje, linçimeve e etiketimeve, dhe pas një mungese të pabesueshme vullneti që këto probleme të adresohen drejt, e vetmja rrugë kundërshtimi më duket dorëheqja. Nuk mund ta duroj ketë barrë në ndërgjegjen time”, kishte shkruar Hyseni në Facebook.

Dorëheqjen mbrëmë ka dhënë edhe vëllai i Dardan Molliqajt, Vlorian Molliqaj e që ka qenë kryetar i degës së Vetëvendosjes në Suedi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat