Avokatë të shteteve të ndryshme të interesuar për Specialen

Aktuale

Avokatë të shteteve të ndryshme të interesuar për Specialen

Më: 12 janar 2018 Në ora: 13:43
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale për Kosovën bënë të ditur se ka pranuar një numër kërkesash të avokatëve nga vendet e ndryshme, të cilët do të përfaqësojnë të akuzuarit dhe viktimat.

Në një përgjigje dhënë për Radio Kosovën, zyra për informim e Gjykatës Speciale nuk ka dashur të zbulojë më shumë detaje, por ka thënë se procesi i pranimit në Listën e Mbrojtësve është një proces pa afate pranimi.

Një dokument i njohur si “Direktiva për Mbrojtësit” e miratuar në nëntor të vitit të kaluar, nga Gjykata Speciale ka bërë që të gjithë avokatët, që e kanë në plan të punojnë për ndonjë të dyshuar, akuzuar apo viktimë, duhet të licencohen edhe një herë nga Gjykata Speciale.

Zyra për media e Gjykatës Speciale kanë thënë se kanë marrë një numër kërkesash nga avokatë të shteteve të ndryshme.

“Deri tash, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave e Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë marrë një numër kërkesash nga avokatë nga shtete të ndryshme. Për momentin nuk mund të japim informacion konkret për arsye se procesi i përzgjedhjes është në vijim e sipër. Mirëpo Lista e Mbrojtësve do të dalë në faqen tonë në Internet në një fazë të mëvonshme, “është përgjigja e tyre.

Ata kanë thënë se “procesi i pranimit në Listën e Mbrojtësve është një proces i hapur, pa afate të përcaktuara për dërgimin e kërkesave.”

Në bazë të “Direktivës për Mbrojtësit” të drejtë për të qenë pjesë e listës së mbrojtësve të akuzuarave kanë të gjithë avokatët që kanë të paktën dhjetë vjet përvojë të dëshmuar në fushën e së drejtës dhe procedurës penale vendore ose asaj ndërkombëtare.

Për të qenë avokat bashkë mbrojtës, duhet të kenë të paktën shtatë vjet përvojë, ndërsa për pranim në Listën e Mbrojtësve të viktimave, përfshihet të paktën pesë vjet përvojë pune e dëshmuar në çështje penale me viktima.

Siç njoftojnë ekspertë të fushës, të pandehurit dhe viktimat do të kenë të drejtë t’i përzgjedhin avokatë vetëm në bazë të listës. Dhe vetëm pastaj gjykata do t’i autorizon ata avokatë të mbrojnë të akuzuarit ose viktimat. Palët nuk do të kenë të drejt të propozojnë ose t’i emërojnë atje avokatët e tyre.

Në korrik të viti të kaluar Dhomat e Specializuara janë funksionalizuar, por Prokuroria e Specializuar deri më tani nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat