Lumezi deklarohet për rastet që përmendi dëshmitari

Aktuale

Lumezi deklarohet për rastet që përmendi dëshmitari

Më: 12 janar 2018 Në ora: 15:56
Aleksandër Lumezi

Deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmetit, tronditën opinionin, sidomos pasi që ai përmendi disa emrave që sipas tij janë fajtorë për dhënie të urdhrit dhe vrasje të disa personave, rastet e të cilëve ende nuk janë zbardhur. Lidhur me këtë çështje ka komentuar kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi e ka bërë të ditur se për këto raste tashmë hetimet janë ngritur dhe po hetohen nga prokuroritë themelore, ndërsa një numër i tyre po hetohet nga prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it.

“Disa raste janë duke u hetuar nga prokuroritë themelore, varësisht nga vendi i kryerjes së veprës penale, ndërsa një numër i rasteve të përmendura ende janë në duart e prokurorëve ndërkombëtarë të EULEX-it”, tha kryeprokurori.

Gjithashtu, ai deklaroi se janë në pritje që këto raste të transferohen te prokurorët vendor deri kur EULEX të përfundojë mandatin.

“Ne jemi duke pritur që edhe këto raste të transferohen te prokurorët vendor deri në përfundim të mandatit të EULEX-it”, përfundoi Lumezi.

Dje në një intervistë, Mehmeti lëshoi akuza të rënda drejtuar vëllezërve Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të vrasjeve të pasluftës në Kosovë. Gjithashtu, ai akuzoi policin Fadil Syleviçi si të përfshirë në shumë vrasje. Sipas tij, Ibrahim dhe Qerim Kelmendi dhanë urdhër për vrasjen e deputetit të LDK'së Smail Hajdari dhe të Tahir Zemajt. Gjithashtu, ai pohoi se vëllezërit Kelmendi kanë ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasje të deputetit të PDK’së, Xhavit Halitit, mirëpo plani për vrasjen e tij ka ngecur. Sipas tij, vrasja e veprimtarit të LDK’së, Xhemail Mustafës është bërë nga Agron Sylejmani.

Mehmeti ka thënë gjithashtu se vrasja veprimtarit të LDK’së, Xhemail Mustafa, është bërë nga Agron Sylejmani. 

Dëshmitari po ashtu e ka përmendur si të përfshirë në vrasjet e pasluftës edhe vëllain e Lahi Brahimajt, ish-deputet i Kuvendit, nga radhët e AAK'së.

Lidhur me këto deklarata kanë reaguar edhe familjarët që kanë kërkuar zbardhjen e rasteve sa më shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat