Ibrahim dhe Qerim Kelmendi, të apostrofuarit për vrasjet e aktivistëve të LDK-së: Mehmeti foli me komandë të Thaçit - Bota Sot
Ibrahim dhe Qerim Kelmendi, të apostrofuarit për vrasjet e aktivistëve të LDK-së: Mehmeti foli me komandë të Thaçit

Aktuale

E diel, 22 korrik 2018

Ibrahim dhe Qerim Kelmendi, të apostrofuarit për vrasjet e aktivistëve të LDK-së: Mehmeti foli me komandë të Thaçit

Më: 12 janar 2018 Në ora: 21:33
Vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi

Nuk është hera e parë që Shpëtim Hajdaraj ka dëgjuar e lexuar rrëfimin e Shkumbin Mehmetit për vrasjen e të atit të tij, Smajl Hajdarajt, të vrarë më 17 janar të vitit 2002, në hyrje të banesës së tij në Pejë.

Sipas tij, ato që Mehmeti i kishte rrëfyer në gushtin e 2013-s për “Kohën Ditore”, e të cilat i rrëfeu edhe mbrëmë në Klan Kosova, për familjen Hajdaraj janë të vërteta.

Shpëtimi thotë se i ati u vra nga eksponentë politikë, por është indinjuar nga shteti dhe drejtësia, e cila kurrë nuk zbardhi rastin e tij, pavarësisht dëshmive që i kishin në duar.

Edhe familjet e Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt dhe Jusuf Haklajt thonë se janë tronditur nga deklarimet e dëshmitarit Mehmeti dhe nga mosveprimi i zyrtarëve shtetërorë ndaj tyre.

“Familjet tona e ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar. Pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit”, thuhet në deklaratën e familjeve Zemaj, Tolaj dhe Haklaj

Ktv ka pyetur Policinë e Kosovë dhe Prokurorinë e Shtetit për mosveprimin, pavarësisht faktit që u janë ofruar dëshmi, por as njëra e as tjetra nuk janë përgjigjur.

Mehmeti deklaroi se ata që organizuan vrasjet e eksponentëve politikë të LDK-së, në mesin e të cilëve edhe vrasjen e Smajl Hajdarajt dhe Tahir Zemajt, ishin vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi.

Por akuza të vjetruara i ka cilësuar Ibrahim Kelmendi, këto.

Në një intervistë me shkrim, ai ka thënë se Mehmeti ka folur ashtu siç e kanë komanduar, duke aluduar në presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

“Dyshoj se po komandohet dhe po shpërdorohet përmes kuadrove policore, që janë në shërbim të Xhavit Halitit e Hashim Thaçit, respektivisht Serbisë”.

Por Kelmendi thotë se gjithmonë ka qenë kundër vrasjes së shqiptarëve, sepse po të kishte mendësi ushtarake, Zemajn do ta vriste gjatë luftës.

“Për vrasjen e Tahir Zemajt, po të kisha pasur mendësi profesionale ushtarake, do ta kisha vrarë gjatë luftës, për ta penguar diversionin e tij kundër luftës çlirimtare, por nuk e kam pasur atë mendësi. Ndërsa për herë kam qenë kundër vrasjeve klandestine të shqiptarëve, me mendim se ato dëmtojnë luftën çlirimtare dhe konsolidimin e Shtetit të Kosovës dhe jo se më janë dhimbsur kriminelë të rangut Tahir Zemaj. Për bindjen time të atëhershme dhe të tanishme, ato vrasje duhet t’i ketë bërë shërbimi përkatës i Serbisë”, ka deklaruar Kelmendi.

Por Shpëtim Hajdaraj thotë të jetë kureshtar se kush qëndron prapa emrave të fshehur, pasi sipas tij, këta tashmë i dinë.

Ndërkohë, drejtori i televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, ka thënë se janë shfaqur vetëm emrat e atyre personave të cilët Mehmeti i ka takuar personalisht.

Madje, Haxhiu ka thënë se ai personalisht nuk është autor i atij emisioni.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test