Gucati i OVL-së mendon se Specialja shfuqizohet të mërkurën, por e vërteta është ndryshe - Bota Sot
Gucati i OVL-së mendon se Specialja shfuqizohet të mërkurën, por e vërteta është ndryshe

Aktuale

E shtunë, 20 tetor 2018

Gucati i OVL-së mendon se Specialja shfuqizohet të mërkurën, por e vërteta është ndryshe

Më: 13 janar 2018 Në ora: 23:22
Hysni Gucati

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila mbahet të mërkurën pritet të përcillet me tensione pasi kryesia do të vendos nëse do ta procedoj për seancë, shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale

I bindur për procedimin dhe shfuqizimin e Speciales është shprehur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare (OVL-UÇK), Hysni Gucati.

Gucati ka thënë se të mërkurën sipas informacioneve të tij do të shfuqizohet Gjykata Speciale nga deputetët e Kuvendit, prej të cilëve ata kanë marr përkrahje.

Madje ai thotë se OVL ka përkrahjen edhe të deputeteve të LDK-së, emrat e të cilëve i din por nuk dëshiron t’i bëjë publik.

“Unë besoj se të mërkurën do të hyjë në rend dite ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Na besojmë që kemi mbështetje prej deputetëve të gjitha partive. E edhe prej deputetëve të LDK-së, kjo është shumë e vërtetë ne kemi biseduar edhe kem përkrahje edhe prej tyre. Ne jemi në gjendje në momentin që Ismet Beqiri që thotë që nuk është e vërtetë, na i thojmë lë ta kontrollon shpinë e tani le të fletë. Sepse na kem përkrahje edhe prej tyre, nuk kam nevojë me përmend emra por nëse është nevoja ja përmendim edhe atyre deputetëve që kemi bisedu dhe kem marrë përkrahje” ka thënë Gucati.

Gucati thotë se pavarësisht që ka shkruar letër Kadri Veseli për Specialen e pavarësisht presionit të diplomatëve nga BE mbi deputet e Kosovës, ata nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga shfuqizimi i gjykatës.

Sipas tij, vetëm një deputet e ka tërhequr nënshkrimin, të tjerët jo.

Megjithatë, duket se Gucati nuk është fort në rrjedha.

Lajmi merr vesh se edhe nëse kalon në Kryesi pika e rendit të ditës për seancë bazuar në peticionin e veteranëve të UÇK-së, në seancën e Kuvendit nuk do të ketë votim për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por vetëm debat parlamentar.

“Askush nuk mund të fus në votim diçka që s’ka bazë ligjore ose iniciativë që duhet të jetë nga Qeveria e Kosovës ose nga së paku 40 deputetë. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme e veteranëve të UÇK-së është vetëm debat parlamentar dhe me kaq përfundon”, thonë burime brenda Kuvendit.

Iniciativa për shfuqizimin e një ligji, qoftë ai edhe ligji për Gjykatën Speciale duhet të burojë nga Qeveria e cila propozon një ligj tjetër për ta zëvendësuar atë, marrë parasysh se Gjykata Speciale ka edhe implikime Kushtetuese.

“Tashmë shumica e deputetëve, sidomos ata të PDK-së, AKR-së dhe minoriteteve joserbe janë tërhequr nga ideja për të thirr seancë të jashtëzakonshme për Gjykatën Speciale. Numri nuk mund të jetë më shumë se 20 ose 15, ndërsa për seancë të jashtëzakonshme duhen minimalisht 40 nënshkrime të deputetëve”, thonë burimet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test