IFIMES: Gjykata është bërë për Thaçin, rrëzimi i Speciales është rrëzim i shtetit

Aktuale

IFIMES: Gjykata është bërë për Thaçin, rrëzimi i Speciales është rrëzim i shtetit

Më: 15 janar 2018 Në ora: 11:58
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Insituti IFIMES i Sllovenisë ka publikuar një analizë për zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova. Sipas IFIMES, Specialja është krijuar për ta gjykuar Presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtoret e tij. Ky institut përmend edhe hipotekat e së kaluarës të Kryeministrit Haradinaj dhe Kryeparlamentarit Veseli – duke thënë se kjo garniturë politike në Kosovë është ideale për kundërshtarët e pavarësisë.

Nën hipotekën e krimeve

Nuk befason nervoza e lidershipit aktual në Prishtinë dhe iniciativa e nxituar për rrëzimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, duke pasur parasysh që Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka një hipotekë të rëndë të krimeve të luftës, sikurse edhe Hashim Thaçi, të cilit i përshkruhen forma tjera të kriminalitetit, thuhet në analizën më të re të Institutit IFIMES me seli në Lubjanë.

Sipas vlerësimeve të analistëve të këtij Instituti për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Mesme, Gjykata Speciale dhe Prokuroria Speciale janë themeluar për ta gjykuar Presidentin e Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij për krimet që kanë kryer në Kosovë.

Në këtë analizë thuhet se qeveria aktuale në Prishtinë është ideale për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, dhe për këtë nuk befasojnë deklaratat e disa vendeve që veç po paralajmërojnë tërheqjen e njohjeve.

Thaçi dhe Haradinaj me hipoteka të krimeve

“Kryeministri Ramush Haradinaj ende përballet me hipoteka të së kaluarës, Thaçi po ashtu ka hipoteka të krimeve të luftës dhe formave tjera të kriminalitetit”, thuhet në analizë.

Aty përmendet edhe Kadri Veseli, kryetari aktual i PDK’së, i cili ka qenë edhe shef i SHIK’ut dhe i cili, sipas IFIMES, po ashtu është subjekt i shumë hetimeve.

“Për këtë arsye nuk befason nervoza e lidershipit aktual të Kosovës, që të shfuqizohet Gjykata Speciale për krime lufte, që në esencë do të thotë shfuqizim i shtetit të Kosovës, sepse Gjykata Speciale është pjesë përbërëse e institucioneve të shtetit të Kosovës” theksohet në analizë.

Me shfuqizimin e Speciales, Thaçi do ta rrumbullakonte pushtetin dhe sundimin e tij në Kosovë.

Si u mbush kupa?

Megjithatë nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka mbushur kupën. Aleatët më të mëdhenj të Kosovës, siç janë vendet e QUINT’it, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia, kanë reaguar duke e dënuar ashpër këtë iniciativë.

Duke rikujtuar se Thaçi dhe Haradinaj kanë deklaruar se nuk mund ta ndalin këtë iniciativë për rrëzimin e vendimit për formimin e Gjykatës Speciale, IFIMES konstaton se e gjithë kjo do të mund të besohej nëse të dy liderët nuk do të përziheshin në gjithçka - ata faktikisht i kanë privatizuar institucionet e shtetit të Kosovës.

IFIMES thekson se vetëm disa ditë pasi diplomatët kanë dënuar ashpër iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës, Haradinajt i është refuzuar viza për hyrje në SHBA për të vizituar Gardën Nacionale të Shtetit të Iowa’s.

Ky institut vlerëson se Prokuroria Speciale është jashtëzakonisht kompetente, sepse David  Schwendiman, është një nga prokurorët më të shquar, i cili ka qenë prokuror për krime lufte edhe në Bosnjë.

“Nga ai mund të priten rezultate kulmore profesionale”, thuhet në analizë.

Zgjedhjet e reja e të parakohshme

Duke pasur parasysh situatën aktuale, sipas IFIMES, Prishtina aktualisht ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Duke rikujtuar që Haradinaj është zgjedhur në shtator në postin e Kryeministrit, bëhet fjalë për një njeri me shumë hipoteka, partia e të cilët ka vetëm 10 deputetë, derisa ajo e Pacollit vetëm 2 deputetë,  analistët e IFIMES konsiderojnë se në rrethanat aktuale zgjedhja më e mirë është që Qeveria, me vetiniciativë, për të treguar përgjegjësi, duhet të dorëhieqet. Pastaj duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mënyrë që të ndalet agonia dhe ecja prapa e shtetit, në të gjitha segmentet, përfshirë edhe rrezikun real, që lidhet me ekzistencën e Kosovë si shtet i pavarur.

“Lidershipi aktual ndodhet në izolim ndërkombëtar, ndërsa Republika e Kosovës ndodhet në udhëkryq. Mosdhënia e vizës për hyrje në SHBA Kryeministrit Haradinaj është shenjë e qartë se garnitura aktuale politike në Kosovë e ka humbur mbështetjen ndërkombëtare, se duhet të procesohet në gjykatë dhe se duhet të shkojë në pension, ndërsa pushteti i ri do ta kishte detyrën që të sigurojë një jetë me të mirë për qytetarët dhe të ndalë shpërnguljen masive nga Kosova” shkruan IFIMES.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat