Kriminelët serb, nuk u dënuan kurrë për masakrën e tmerrshme të Reçakut

Aktuale

Kriminelët serb, nuk u dënuan kurrë për masakrën e tmerrshme të Reçakut

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 janar 2018 Në ora: 18:38
Masakra e Reçakut, 15 janar 1999

Ngjarja e 15 janarit të vitit 1999, e njohur si masakra e Reçakut, njihet si një ndër ngjarjet më të trishta, që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë  kështu edhe proceseve që çuan deri tek fushata e bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë së Serbisë.

Kjo ngjarje që tronditi botën, njëherësh njihet edhe si një ndër epilogët më të tmerrshëm, më tragjik, dhe më të dhembshur që i ka ndodhur popullatës civile gjatë luftës së fundit.

Masakra e Reçakut është dëshmi e drejtësisë së munguar përgjatë gjithë shekullit XX, kur bëhet fjalë për pjesëtarët e kombit shqiptar. Institucionet tona kanë bërë mjaftueshëm, apo nuk kanë bërë fare që kryerësit e kësaj masakre, të dalin para Drejtësisë.

Image
Arbër Gashi

Kështu vlerëson njohësi i çështjes politikë Arbër Gashi ku sipas tij, ata që morën pjesë në këtë akt të shëmtuar, ushtria e Serbisë dhe kolonistët serb të Kosovës, nuk u dënuan kurrë.

Ai ka thënë për “Bota sot” se  Serbia pushtuese po ashtu nuk është dënuar kurrë as për Masakrën dhe gjenocidin në Sanxhakun e Toplicës.

“Serbia pushtuese nuk është dënuar kurrë për masakrat dhe gjenocidin e pashembullt në të ashtuquajturën Luftë Ballkanike, e cila i parapriu Luftës së Madhe (Lufta e Parë Botërore). Serbia pushtuese dhe kolonistët e dhunshëm serb të Kosovës nuk janë dënuar kurrë, për asnjë krim ose akt gjenocidi kundër kombit shqiptar. Përveç Masakrës së tmerrshme të Reçakut, Serbia si shtet, kombi serb, Kisha e Serbisë dhe kolonistët e dhunshëm serb të Kosovës, mbajnë përgjegjësi direkte për Masakrën e Bihorit, Masakrën e Tivarit, Masakrën e Drenicës, Masakrën e Anamoravës, Masakrën e Kumanovës dhe qindra e mijëra akte tjera të dhunës së paramenduar kundër kombit tonë”, është shprehur Gashi.

Ai ka thënë se në këtë përvjetorë të Masakrës së Reçakut, falënderimi për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës i takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paktit Veriatlantik NATO dhe Ambasadorit William Walker.

“Sot në këtë ditë përkujtimi, gishti ynë tregues duhet të shënjoj drejtësinë e munguar në vendin tonë, pafytyrësinë dhe tregtinë e hapur të politikës vendore me gjakun e derdhur të shqiptarëve të pafajshëm”, ka përfunduar Gashi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat