Lekaj do të ftohet për raportim para Komisionit për zhvillim ekonomik

Aktuale

Lekaj do të ftohet për raportim para Komisionit për zhvillim ekonomik

Më: 16 janar 2018 Në ora: 13:57
Komisioni

Cilësia e naftës dhe penaltia e kompanisë Bechtel Enka prej 63 milionë eurosh kanë qenë pika të nxehta të debatit ndërmjet anëtarëve të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik në mbledhjen e sotme.

Në mungesë të materialit nga ana e Qeverisë për emrat e anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, (ZRRE), anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, vendosë që të heqin këtë pikë të rendit të ditës.

Anëtarja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari Lila, kërkoj të hiqet kjo pikë e rendit të ditës për të cilën u dakorduan edhe anëtarët tjerë të komisionit.

Por në pikat të tjera anëtarët e Komisionit kanë ngritur çështjen e penaltive siç është rasti i kompanisë “Bechtel & Enka” , ku u vendos që në një mbledhje të ftohet në raportim ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

E po ashtu deputet kishin kërkesa që të ftohen në raportim edhe ministrat e ministrive të reja siç është ajo e Inovacionit, Zhvillimit Rural e po ashtu kërkuan raportim për rastin e Axos , kompani e cila e ka dërguar në arbitrazh rastin e mos privatizimit të PTK-së.

Komisioni nuk e votoi sot planin e punës së Komisionit për këtë vit, edhe pse sipas kryetares së Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha, mos miratimi i planit të punës së Komisionit, nuk i ndalon Komisionit që t’i ftojë ministrat në raportim.

Shala: Komisioni kur ta sheh të nevojshme mund t’i thërrasë ministrat në raportim

“Propozimet e juaja që është krejt normale këtë e thash edhe në fillim , në qoftë se jam kuptuar drejt. Mirëpo, këto që i ngritët për me i thirr ministrat, neve nuk na pengon asgjë në qoftë se nuk e kemi të miratuar planin e punës dhe me i thirr ministrat në mbledhjen e ardhshme në takimin e ardhshëm të Komisionit, mund t’i thërrasim, sepse edhe ashtu e kemi obligim ligjor sipas rregullores së Kuvendit t’i ftojmë ministrat e linjës të raportojnë për planet e tyre, për vizionet apo me ndonjë temë të caktuar siç është në këtë rast, penaltitë të cilës do ministrie të linjës. I thërrasim për tema të caktuara apo edhe  për tema të përgjithshme”, tha Shala.

Ndërsa, Dardan Sejdiu, anëtar i këtij Komisioni, pati kërkesë që në planin e punës të jetë edhe kërkesa e tij që t’i sillen Komisionit për Zhvillim Ekonomik të gjitha kontratat shtetërore. Ai po ashtu kërkoi që qysh javën e ardhshme të ftohet ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj që t’iu sjellë kontratën e cila po përfolët kohët e fundit.

Sejdiu: Të na sillen të gjitha kontratat shtetërore

“Mendoj që komisioni duhet të pajiset me kontratën në raportet e menaxherit për pjesën, të cilën e mbikëqyr edhe pjesën të cilën po flitet për këtë 63 milionë euro dënim dhe këto materiale të na sillen para takim së paku në afat kohor që të na mundëson neve të kalojmë nëpër këto. E dyta është që dua të propozojnë në plan të punës është që në tre mujorin e parë të ta sjellën të gjitha kontratat shtetërore të nënshkruara nga qeveritë, cilado qofshin ato e që janë aktive. Pra, kontrata për auto-rrugë, kontrata për termocentral dhe gjitha kontrata të tjera që kanë të bëjnë me funksionin dhe misionin e këtij Komisioni. Gjitha këto të na sillen në kopje fizike”, tha Sejdiu.

Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj, i cili ishte propozues i idesë që të ftohet ministri i Infrastrukturës në raportim për rastin e penaltisë nga Bechtel Enka, kërkoi llogari edhe për ambientin për të cilin tha se duhet të gjendet fajtori i vërtetë e jo të mbetet faji se gjoja automjetet e vjetra po e ndotin ajrin. Madje ai e drejtoi gishtin te dy deputetet, të cilat në të kaluarën kanë drejtuar ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që sot janë deputete, Mimoza Kusari-Lila dhe Hykmete Bajrami.

Dreshaj: Të gjinden fajtorët

“Kjo penaltia e fundit është jetim. Skam parë ende penalti pa e marrë kartonin e kuq edhe vendimin. Dikush e ka bërë penaltinë atëherë le të kërkoj drejtësia fajtorin. Ndonjë herë po flasim për 63 milionë sikur me qenë 63 euro, unë nuk e di se kush e ka prej neve deputetëve atë llukës që me t’u duk si 63 euro. Është para e madhe. Po flasim për penalti të parapërgatitur. Kjo punë që e kamë marrë unë më ka fut edhe me dëgjimin e bisedave të ministrit të Infrastrukturës Lekaj. Arsyetimet kanë qenë shumë të lodhëta. Derisa kemi mbetur se ambienti në Kosovë po na prish golfi dyshë...Na nëse i lëmë kështu sendet kanë me vazhdua edhe 100 vjet ky shteti jonë. Së fundi erdh 100 golfa dysh po e prishin ambientin në Kosovë. Kerri jem mi harxhon 60 litra, ma ka prishë katalizatorin, e s’po  e prishë natyrën. Na po i kërkojmë ata më të lodhëtit edhe po ia lëmë fajin. Pse s’po i kërkojmë ata mafitë e organiz uar që importojnë naftën. Naftën e keqe me sulfur ministre të dyta kanë pasur ministri kanë mund me e rregulluar”, tha Dreshaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami e cila tregoi se për ndryshimet ligjore për çështjen e naftës nuk ka pasur përkrahje për ndryshimet ligjore.

Bajrami: Nuk kam pasur mbështetje nga Kuvendi për ndryshimet ligjore për naftën

“Sa i përket naftës, besoj që duhet ta kemi një temë një ditë dhe si Komision ta shqyrtojmë. Unë vetëm ju tregoj që në mandatin e kaluar nuk e kam pasur mbështetjen e deputetëve të Kuvendit për me vu rregull në sektorin e naftës për shkak se kanë hy amendamente nga Shoqata e naftëtarëve. Atyre pikërisht që e importojnë naftën e dëmshme unë jam detyruar që në leximin e dytë ta tërheq ligjin komplet. Sepse për mua si i tillë ka qenë i paimplementueshëm. Në anën tjetër, gjatë mandatit të kaluar kontrollin e cilësisë e kemi kaluar nga operatorët privat që ka qenë në mënyrë jo ligjore tek institucionet shtetërore që janë doganat e Kosovës dhe si rezultat i saj për herë të parë me dhjetëra maune pasi që kanë ardhur në pikë doganore janë kthyer, sepse e kanë parë që Dogana e Kosovës e ka seriozisht. Më lejoni t’ju informoj që ministri aktual e ka kthyer çështjen në pikën zero”, tha Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat