Gjithçka çka ndodhi sot në veri të Mitrovicës

Aktuale

Gjithçka çka ndodhi sot në veri të Mitrovicës

Më: 16 janar 2018 Në ora: 15:30
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ishte zgjuar herët që të shkojë në selinë e partisë së tij që gjendet në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës.

Por jeta e tij ndaloi në shkallët e ndërtesës ku gjendet partia e tij që udhëheq tash e sa kohë me emrin “Liri, Demokraci, Drejtësi” pasi që dikush gjuajti drejt tij me disa plumba.

E kotë ishte edhe përpjekja e mjekëve për t’ia shpëtuar jetën. Ai kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Oliver Ivanoviq ndërroi jetë në moshën 65 vjeçare, ishte i dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve por rasti i tij ishte kthyer në rigjykim.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

E gjithë ngjarja sipas dëshmitarëve ka ndodhur rreth tre minuta ndërsa Policia konfirmon se ndaj Ivanoviqit është shtënë me armë të zjarrit por pa përcaktuar motivin dhe arsyet.

E vetmja provë që policia ka në dorë deri më tani është një veturë e djegur e cila ishte braktisur në Lagjen e Doktorëve e që supozohet se është përdorur nga atentatorët.

Policia ka ofruar edhe shpërblim për çdo informatë që mund të ipet me këtë rast por deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar.

Besim Hoti që është zëvendëskomandant i stacionit të Policisë në veri ka thënë për KosovaPress se djegia e veturës së gjetur është bërë me qëllim ndërkaq bën apel për qetësi.

Hoti: Kush ka informatë ta lajmërojë Policinë

“Ajo çfarë vlen të përmendet është se jo larg prej këtu , në një vend në një rrugë tjetër, një veturë e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit është gjetur si e djegur e që besohet se mund të ketë qenë e përfshirë si person ose persona të dyshimtë në këtë rast. Normalisht se besojmë se djegja e veturës është bërë me qëllim të shkatërrimit të provave të mundshme materiale të gjetura. Sidoqoftë ne kemi bërë apel tek të gjithë qytetarët edhe vazhdojmë të bëjmë apel te qytetarët, ta ruajnë qetësinë , e cila sigurisht se pas këtij rasti mund të ketë një ndikim të ndjenjës së pasigurisë të vetë qytetarëve, mirëpo Policia e Kosovës  bën apel bashkarisht edhe me pushtetin lokal por edhe me instanca tjera ndërkombëtare që qytetarët ta ruajnë qetësinë e tyre dhe se çfarëdo informacioni i vlefshëm për rastin t’i plasohet Policisë me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të hetime ve pozitive “, tha ai.

I pyetur se: a ka ndonjë motiv për këtë vrasje Hoti tha se deri më tani nuk ka ndonjë informatë të tillë.

Image
Besim Hoti

Hoti: Nuk i dimë motivet është herët

“Nuk mund të flasim për motive, ende jemi në fazën preliminare, fazën fillestare”, tha Hoti.

Vrasja e Ivanoviqit ka shkaktuar reagime në Kosovë por edhe në Serbi.

Këtë akt e ka dënuar Qeveria e Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ambasadori i SHBA-ve Greg Delaëie, zyra e BE-së, shefi i UNMIK-ut, OSBE-së,etj.

Ndërsa në Serbi ky rast është cilësuar si akt terrorist dhe se zakonisht fajin ua hedhin shqiptarëve.

Të mërzitur për vrasjen janë shprehur më së shumti familjarët e tij, gruaja edhe fëmijët. Por për avokatin e tij vdekja e tij ka mërzitur të gjithë qytetarët në Kosovë, por më së shumti në Serbi.

Vllajiq ka thënë se nuk është hera e parë që në veri të Kosovës ka këso lloj dhune si e sotmja ndërkohë që ka kërkuar që rasti të zbardhet sa më parë.

Vllajiq: Nuk është hera e parë që ka këso dhune, duhet të ndërpritet

“E dini që sot në mëngjes në të është bërë një atentat dhe urgjentisht është bartur në spital, mjekët kanë tentuar reanimacionin e tij por ka qenë e pamundur të bëhet diqka. Ai ka pasur disa plagë në pjesën e sipërme të trupit në shpinë dhe gjoks dhe mendoj se kjo ka qenë beteja që nuk ka mundur ta fitojë. Unë nuk di asgjë më shumë seç dinë qytetarët, policia e ka shikuar vendin e ngjarjes pak më herët dhe ata duhet që ta njoftojnë opinionin për atë se çka ka ndodhur sot. Nuk është rasti i parë i këtij lloji nuk është hera e parë e kësaj dhunë dhe kjo duhet të ndalohet”, tha Vllajiq.

Pavarësisht kësaj situata në Mitrovicë është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat