Joseph: Vrasja e Oliver Ivanoviçit mund ta tensionojë gjendjen në Kosovë

Aktuale

Joseph: Vrasja e Oliver Ivanoviçit mund ta tensionojë gjendjen në Kosovë

Më: 16 janar 2018 Në ora: 18:49
Edward Joseph

Eksperti i çështjeve të Ballkanit në Uashington, Edward Joseph, i cili e ka njohur personalisht zotin Ivanoviç, tha se vrasja e politikanit serb të Kosovës mund të sjellë një tensionim të përgjithshëm të gjendjes në Kosovë, edhe pse rrethanat janë ende të paqarta. Vrasjet me karakter etnik kanë prirje të sjellin pasoja politike serioze dhe të shkaktojnë trazira në këtë pjesë të Kosovës. Me zotin Joseph bisedoi kolegu ynë Festim Gashi.

“Incidente të tilla kanë prirjen të rrisin tensionet ndërentike në Kosovë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet 2004 dhe 2012 kur vrasja ose plagosja e një personi nga një grup tjetër etnik shkaktoi trazira politike. Pasojat e vrasjes së Oliver Ivanoviçit do të varen nga ajo se kush është autori i vrasjes. Nëse autori i vrasjes është shqiptar, kjo mund të atëherë kjo mund të nxisë reagime të mëdha nga serbët dhe mund të shkaktojë trazira në veri të Mitrovicës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tashmë ka thënë se sulmi ndaj Oliver Ivanociçit është një sulm ndaj gjithë Serbisë dhe delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel u largua nga bisedimet. Pra, nëse hetimet dalin në përfundimin se vrasja është bërë nga shqiptarët, kjo do të zëmëronte serbët dhe do të shkaktonte tensione ndëretnike. Prandaj, është mirë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dënuar vrasjen dhe është zotuar se autorët e saj do të gjenden”.

Zoti Joseph shtoi se nëse hetimet dalin në përfundim se vrasja nuk është bërë nga shqiptarët por ishte thjeshtë një luftë mes serbëve, atëherë nuk duhet të nxisë tensione ndëretnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat