Haradinaj e quan politike deklaratën e Veselit, thotë se Serbia kërcënoi Kosovën seriozisht

Aktuale

Haradinaj e quan politike deklaratën e Veselit, thotë se Serbia kërcënoi Kosovën seriozisht

Më: 16 janar 2018 Në ora: 19:52
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar sot paralajmërimin e bërë të hënën për Serbinë nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një fjalimi të mbajtur në Akademinë përkujtimore për viktimat e masakrës se Reçakut.

"Serbia mos ta provon të kthehet, se më nuk do të ndalemi deri në Nish", ishte deklarata e Veselit, e cila bëri bujë edhe në Serbi.

Gjatë një konference për media, Haradinaj e ka cilësuar politike deklaratën e Veselit, teksa ka thënë se Kosova është kërcënuar seriozisht nga Serbia ditë më parë.

“Deklarimet politike kanë peshë. Asnjëherë ato s’janë për t’u neglizhuar”, është shprehur Haradinaj, kur është pyetur se si e konsideron deklaratën e djeshme të Veselit.

“Por, është shumë më kërcënues lajmi se Serbia synon të armatoset me raketa që mbërrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj para gazetarëve.

“Në këtë rast do të duhej që ne të mos shkonim në dialog, e jo që ata të reagonin për deklarimet politike të një udhëheqësi të Kosovës”, ka thënë shefi i ekzekutivit, duke iu referuar vendimit të palës serbe për tërheqje nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

“Ju e dini, shefi i stafit të ushtrisë serbe vërtet ka deklaruar se ‘synojmë kompletimin e sistemit tonë raketor, me distancë të caqeve që mbërrijnë Kosovën’. Kjo është shqetësuese, duhet të jetë për të gjithë”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dënuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe ka bërë thirrje që kjo vepër siç e quajti makabre, të mos përdoret nga askush për agjenda të ndryshme politike.

Ai këto komente i bëri pas takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurisë kombëtare, ku është biseduar për gjendjen e sigurisë në vend, pas vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare Liri, Demokraci, Drejtësi në veri, Oliver Ivanoviq.

?Haradinaj: Dialogu aktual është konsumuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pala kosovare është e habitur me vendimin e palës serbe për ndërprerjen e dialogut në Bruksel, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, ndonëse e pranoi se dialogu aktual është i konsumuar.

Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është biseduar për gjendjen e sigurisë në vend, pas vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare për Liri, Demokraci e Drejtësi në veri, Oliver Ivanoviq.

Haradinaj: Ne jemi habit me vendimin e delegacionit të Serbisë

“Ne jemi habit me vendimin e delegacionit të Serbisë në bisedimet në Bruksel edhe ashtu dialogu është në një fazë kritike, për shkak se mendojmë se dialogu i tillë çfarë ka ekzistuar deri tani, është i konsumuar. Qëndrimi i delegacionit të Kosovës i kryesuar nga Avni Arifi, dje ka qenë me partnerët e BE-së se duhet të kalojmë në fazën finale të dialogut që nënkupton njohjen reciproke. Pra, të bisedohet  për njohjen dhe të përgatitet një platformë për të”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili gjatë ditës së djeshme ka thënë se “nëse Serbia tenton të hyjë në Kosovë, kësaj radhe nuk do të ndalen deri në Nish”.

Haradinaj: Deklarimet politike kanë peshë

“Ana tjetër e deklarimeve, të them të drejtën deklarimet politike kanë peshë, asnjëherë ato nuk janë me u neglizhua, por është shumë më kërkcënues lajmi se Serbia synon me u armatos me raketa që mbërrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës. Pra, në këtë rast nuk do të ishte dashur ne të shkojmë në dialog, pas këtij lajmi, e jo ata me reagua për deklarimet politike të një udhëheqësi të Kosovës. Pra, ju e dini shefi i shtabit të ushtrisë Serbe, vërtet ka deklaruar se synojnë kompletimin e sistemit të tyre raketor me distancë që mbërrin Kosonë, kjo është shqetësuese”, tha kryeministri.

Haradinaj: Dënojmë çdo tendencë për të shfrytëzuar këtë vepër makabre

“Kjo vrasje ka parametra të keqpërdorimit politik, apo më shumë. Mund të them se që nga momenti i marrjes së këtij lajmi, institucionet e vendit kanë kryer detyrat e veta në bazë të ligjit në vendin e ngjarjes. Janë ende në punë. Njëkohësisht të gjitha institucionet e vendit kanë qenë të mobilizuara. Ne e dënojmë këtë krim dhe i shprehim ngushëllime familjes Ivanoviq, gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë, njëkohësisht e dënojmë çdo tendencë për të shfrytëzuar këtë vepër makabre për agjenda politike nga kushdo qoftë”, ka thënë Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me institucionet simotra, dhe për hetime mund të ftojnë edhe FBI-në dhe nuk i mirëpresin deklarimet e askujt për ndërhyrje në veri.

Haradinaj: Ky krim edhe zhvillime të tjera, rezultat i involvimeve ilegale

“Mendojmë se edhe ky krim, por edhe zhvillimet të caktuara kriminale që ndodhin në veri, janë po ashtu rezultat i involvimeve ilegale që ndodhin në Veri, nga instanca të tjera jashtë Kosovës, duke qenë pra ilegale. Përkushtim të institucioneve të rendit dhe të ligjit të Kosovës që këtë vepër, këtë krim, të dënueshëm ta zbardhin”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka deklaruar se policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën Veriore.

Ai tha se ka caktuar ekspertë të hetimeve të krimeve serioze dhe është krijuar një task forcë, por që ai tha se për shkak të natyrës së hetimeve nuk mund të japë detaje.

Maxhuni: PK do të bëjë gjithçka për zbardhje të këtij rasti

“Ju siguroj që Policia e Kosovës me përkushtimin më të madh do të bëjë çdo gjë që është në mundësitë dhe në kapacitetet tona, dhe në autoritetin tonë për ta zbardhur këtë rast. Siç e tha edhe kryeministri, nëse ne në ndonjë rrethanë e vlerësojmë se do të na nevojitet mbështetje më e specializuar për të ardhur deri në përfundim të këtij rasti, ne kemi partneritet dhe bashkëpunim edhe me agjencionet më të perfeksionuara ndërkombëtare të hetimeve të krimeve shumë komplekse, siç është FBI, me këtë kemi marrëveshje të bashkëpunimit dhe ndoshta nëse e vlerësojmë mund t’i adresohemi edhe atyre për mbështetje të nevojshme. Por, deri në këtë rrethanë nuk e vlerësojmë se do të na nevojitet në një të ardhme të afërt ndonjë parashtrim i kërkesës së karakterit të tillë”, tha ai.

Maxhuni tha se  me punën që janë duke e bërë që nga incidenti e deri në këtë fazë, shpresojnë që do të arrijnë shumë shpejt të përcaktojnë pistat e hetimit deri në arrestimin e autorëve të krimit.

Maxhuni: Kemi arrit të informacionet e nevojshme për prejardhjen e veturës

“Kjo veturë ka qenë pa targa, mirëpo ne shumë shpejt kemi arrit që të kemi në dispozicion informacionet e nevojshme për prejardhjen e veturës dhe pronësinë e veturës, në një periudhë të caktuar kohore. Në këtë rrethanë nuk mund të jap më shumë detaje, por unë besoj që informacionet që kemi në dispozicion për veturën, janë të mjaftueshme që ne të gjurmojmë edhe më thellë, konkretisht për pronarin e veturës dhe qarkullimin e kësaj veture”, tha ai.

Oliver Ivanoviq, lider i serbëve të veriut është vrarë sot në mëngjes në një sulm të armatosur.

Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës. Nuk dihen motivet dhe as nuk ka të dyshuar për vrasjen e tij. E vetmja provë është një veturë e djegur e tipit “Opel Astra”, e cila është gjetur pas vrasjes në një lagje në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat