"Befason" kryeprokurori për veturën e djegur, me të cilën u vra Ivanoviq

Aktuale

"Befason" kryeprokurori për veturën e djegur, me të cilën u vra Ivanoviq

Më: 16 janar 2018 Në ora: 22:02
Vetura e djegur e Oliver Ivanoviqit

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i pari i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se kanë informacione të bollshme për të gjurmuar në lidhje me pronarin dhe qarkullimin e veturës nga e cila u gjuajt me armë zjarri në drejtim të Oliver Ivanoviqit, dhe e cila u gjet e djegur.

“Çdo automjet që lëviz është i obliguar edhe të ketë targën e regjistrimit dhe dokumentacionin përcjellës.

Kjo veturë ka qenë pa targa por shumë shpejt kemi arritur të kemi në dispozicion informacione të nevojshme për prejardhjen e veturës dhe pronësinë e veturës në një periudhë të caktuar të kohës. Nuk mund të jap më shumë detaje por informacionet që kemi për veturën janë të mjaftueshme që të gjurmojmë edhe më thellë edhe për pronarin e veturës dhe qarkullimin e saj ”, tha Maxhuni.

Lidhur me këtë deklaratë, KALLXO ka kontaktuar kryeprokurorin e Mitrovicës, Shyqeri Syla, i cili tha se ende nuk kanë asgjë zyrtare në lidhje me veturën e djegur.

“Zyrtarisht nuk ka kurrgjë për punën e pronarit të veturës dhe se ende nuk dihet pronari. Ndoshta Policia di diçka por që ende nuk na e kanë thënë neve”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme Policia ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

“Rreth orës 09:15, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes”, ka thënë Policia.

KALLXO raportoi gjatë gjithë ditës për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat