Kocijancic: Dialogu vazhdon sa më shpejt që është e mundur

Aktuale

Kocijancic: Dialogu vazhdon sa më shpejt që është e mundur

Më: 17 janar 2018 Në ora: 18:41
Maja Kocijancic

Bashkimi Evropian insiston se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, dhe se ky veprim është një obligim që e kanë të dyja shtetet për të ecur para në rrugën drejt saj. Dialogu teknik që u ndërpre të martën për shkak të vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ka bërë që Serbia të kërcënojë edhe me mosvazhdim të dialogut. Por nga Qeveria e Kosovës thonë se përveç negociatave, s’ka alternativë tjetër.

Vrasja e ish- udhëheqësit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, në orët e hershme të së martës, para selisë së tij në veri të Mitrovicës ka ngjallur tensione si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Zyrtarë të shtetit aludojnë se vrasja nuk është bërë nga njerëz të tyre dhe se dialogu do të vazhdojë vetëm atëherë kur të zbardhet vrasja e Ivanoviqit.

Por, Bashkimi Evropian si ndërmjetës i negociatave Kosovë –Serbi vlerëson se vrasja politikanit serb është e dënueshme dhe hetimi për të identifikuar kryerësin është duke u zhvilluar.

Në një përgjigje, Maja Kocijancic , zëdhënëse e BE’së, ka shtuar se takimet teknike të kësaj jave u pezulluan për të lejuar që të dy palët të përqendrohen në ndjekjen e kësaj ngjarje tragjike.

“Bashkimi Evropian po punon me të dy palët për rifillimin e këtyre takimeve sa më shpejt që të jetë e mundur. Zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut janë detyrimet që të dy palët morën dhe përcaktojnë shpejtësinë e përparimeve të tyre në rrugën e BE”, ka shtuar ajo.

Se dialogu s’ka alternativë, e bën të qartë edhe Avni Arifi, udhëheqës i delegacionit në bisedimet teknike Kosovë – Serbi.

Arifi nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e Marko Gjuriq, po ashtu në krye të këtij delegacioni nga ana e Serbisë, i cili tha se nuk do të ketë dialog me Kosovën derisa nuk marrin përgjigje për vrasjen e Ivanoviqit.

Për zyrtarin e Kosovës, dialogu nuk ka rrugë tjetër pos të vazhdojë. “Dialogu s’ka alternativë, kjo është e tëra në lidhje me idetë për bllokim apo ndërprerje të dialogut. Përndryshe as tash e as në të ardhmen nuk do t’i komentoj asnjë zyrtari serb”, ka thënë Arifi.

Menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar që Prokuroria në Beograd të ketë disa informacione shtesë për vrasjen e ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Kërkesa i është adresuar ministrit të Drejtësisë kosovare, Abelard Tahiri, i cili po e shqyrton atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat