Kurti përkujton Skënderbeun, figura më e spikatur e mesjetës sonë

Aktuale

Kurti përkujton Skënderbeun, figura më e spikatur e mesjetës sonë

Nga: A.M. Më: 17 janar 2018 Në ora: 19:41
Albin Kurti

Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastriotin- Skënderbeun  në  550 vjetorin e vdekjes së tij.

Kurti ka shkruar në Facebook se “Fjalët me peshë për këtë figurë madhore duhet t’i thonë studiuesit, por unë dua të përshëndes me këtë rast gjestin simbolik të shkrimtarit të letërsisë për fëmijë Avni Deharit, këtij veprimtari të çështjes kombëtare që nuk u përkul kurrë nga stuhitë e rrebeshet e jetës”.

Po ashtu, Kurti ka përkujtuar edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka.

Postimi i plotë:

Sot shqiptarët që ndriçohen prej pishtarit të Rilindjes, përkujtojnë 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit të kombëtarizmit tonë, Skënderbeut.

Figura më e spikatur e mesjetës sonë, e ka tejkaluar qenien e vet historike, duke u shndërruar në simbol, të përdorur në kohë më të vona për të ndërtuar edhe ndërgjegjen kombëtare moderne të shqiptarëve. Si figurë historike, por më shpesh si simbol tejhistorik, Skënderbeu ka frymëzuar politikën, artin, letërsinë për të rritur e fëmijë, përralla e legjenda, jetën e kulturën civile tonën, por ndonjëherë edhe të popujve të tjerë.

Fjalët me peshë për këtë figurë madhore duhet t’i thonë studiuesit, por unë dua të përshëndes me këtë rast gjestin simbolik të shkrimtarit të letërsisë për fëmijë Avni Deharit, këtij veprimtari të çështjes kombëtare që nuk u përkul kurrë nga stuhitë e rrebeshet e jetës.

Avni Dehari këto ditë ka botuar një trilogji librash për fëmijë, me motive të frymëzuar nga tematika skënderbeiane. “Gjergjat në drita përkrenaresh” quhet trilogjia, me rrëfimet tërheqëse e edukuese që Avniu i ka krijuar për shqiptarët e së ardhmes. Një babë i denjë i Arbnorit, Astritit dhe Albanës, gjysh krenar i Lumit, Blinit dhe Arsës, Avniu nuk resht së vepruari e së punuari, dhe kontribuon për lartësimin e kulturës sonë kombëtare.

Sot kujtojmë dhe heronjtë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka, veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, të vrarë në 17 janar 1982. Ata u vranë mu kur po i bashkonin organizatat e shumta politike shqiptare të kohës. E përjetshme qoftë lavdia e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat