KFOR: Vulin e di se e ka të pamundur ta kërcënojë Kosovën me ushtri të tij, ne jemi këtu

Aktuale

KFOR: Vulin e di se e ka të pamundur ta kërcënojë Kosovën me ushtri të tij, ne jemi këtu

Më: 18 janar 2018 Në ora: 08:34
KFOR

Vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviq, ka ngritur shumë reagime dhe tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mes shumë deklaratave dhe reagimeve, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka dhënë një mesazh të qartë për zhvillimet e fundit në vend duke thënë se ushtria e Serbisë është e gatshme të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi për qytetarëve serbë kudo që jetojnë.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të mbrojë çdo pjesë të territorit tonë dhe jemi mjaft të organizuar dhe të përgatitur për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe i sigurojmë se paqja dhe stabiliteti i vendit tonë nuk mund të rrezikohet, nëse ushtria serbe është këtu”, ka thënë të mërkurën Vulin.

E nga ana tjetër, deklarata e Vulinit nuk është shqetësuese për forcën ushtarake të vetme që ofron paqe dhe siguri në vend, KFRO-in.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, në një përgjigje për arbresh, lidhur me deklaratën e Aleksandar Vulinit ka thënë se KFOR-i vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“KFOR vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe të garantojë një liri të lëvizjes nëpër Kosovë, nën dispozitat e rezolutës së OKB-së 1244 për të gjithë qytetarët e të gjitha etniteteve. KFOR mbetet vigjilent, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të sigurisë”, thotë në përgjigje Grasso.

Media ka dërguar pyetje edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për deklaratat e shefit të ushtrisë serbe, por Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie më Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë ka thënë se FSK nuk është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë dhe rendit.

“Përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë është Policia e Kosovës dhe KFOR-i”, ka thënë shkurt Shala.

E Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë të martën për media se Policia e Kosovës është duke e hetuar më përkushtim të madh vrasjen e politikanit serb në Kosovë.

“Policia e Kosovës me përkushtimin më të madh do të bëjë çdo gjë në mundësitë dhe kapacitetet tona për ta zbardhur këtë rast”, ka thënë Maxhuni.

Kujtojmë se Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje të martën rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij, Iniciativa Qytetare. Sipas autopsisë ai u qëllua në pjesë e sipërme të trupit me gjashtë plumba nga një pistoletë e tipit Zastava M70A, prodhim serb. Trupi i Ivanoviqit u gjet nga një fqinj që ishte duke shkuar në dyqan. Nga hetimet e deri tanishme ende nuk dihet kush janë autorët e kësaj vrasje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat