Haradinaj: Fëmijët kaluan një situatë të ndjeshme këto 18 vite

Aktuale

Haradinaj: Fëmijët kaluan një situatë të ndjeshme këto 18 vite

Më: 18 janar 2018 Në ora: 12:11
Pamje nga lansimi kombëtar i Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF)

Kosova është e përcaktuar të bazohet në normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve dhe për këtë është e gatshme dhe hynë në obligim, duke përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijëve të vitit 1989.

Kështu tha kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin se lansimit kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF).

Ai tha se kjo ngjarje dëshmon një vetëdije të ngritur të shoqërisë civile në Kosovë, sa i përket të drejtave të fëmijëve, ndërsa shtoi se fëmijët në këto 18 vite kanë kaluar në një situatë të ndjeshme.

Haradinaj ka bërë të ditur se është në hartim e sipër Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe po ashtu është në hartim Strategjia dhe Plani Nacional i Veprimit  për të Drejtat e Fëmijëve, duke shtuar se këto janë norma ligjore, me të cilat nuk përfundon puna e Qeverisë së vendit, por fillon,  zbatueshmëria e vazhdueshme.

Haradinaj: Situatë e ndjeshme për fëmijët në këto 18 vjet

“Kosova është shoqëri me specifika të veta dhe shumë prej këtyre specifikave i ngarkojnë disa kategori të njerëzve me shumë ose me rëndë, apo më keq pozita është më e vështirë e tyre. Një situatë e ndjeshme ka qene për fëmijët në këto 18 vite për shkak së Kosova ka dalë prej një luftë. Për shkak se mungesa e vazhdimësisë së jetës, ndryshe thënë dhe ndërprerjeve që në familje kanë ndodh çrregullimeve deri të atyre shoqërore ndoshta e kanë bërë të pamundur vëmendjen e duhur institucionale dhe mekanizmave tjerë, pikërisht për temën që është  shumë e ndjeshme që janë të drejtat e fëmijëve. Megjithatë  Kosova është e vendosur me u përcaktuar, me u bazuar në normën dhe marrëveshjet  për marrëveshjet ndërkombëtare, për të drejtave të fëmijëve dhe për këtë është e gatshme dhe hyn në obligim. Përfshirë dhe konventat për të drejtat e fëmijëve të vitit 1989, neni 22. Ne si Koso vë kam informata se është në hartim e sipër projektligji për mbrojtjen e fëmijëve dhe po ashtu është në hartim strategjia dhe  plani nacional i veprimit për të drejtave të fëmijëve. Këto janë norma ligjore. Me kaq nuk përfundon puna e qeverisë së vendit këtu fillon zbatueshmëria e vazhdueshme”, tha ai.

Sipas Haradinajt, Qeveria ka bërë përpjekje për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga ekspozimet e gabuara, si rasti i narkotikëve në shkolla, por se, mbetet ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Një tjetër shqetësim  sipas tij është edhe mungesa e çerdheve jo vetëm në zonat rurale, por edhe në ato urbane.

Ndërsa Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e koalicionit të OJQ -ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, tha se ky instrument ndihmon shoqërinë civile, për të unifikuar qëndrimet sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Kelmendi: Ky instrument unifikon qëndrimet e shoqërisë civile me qeverinë

“Ky si instrument ndihmon së pari shoqërinë civile për të unifikuar qëndrimet sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Unifikon qëndrimet e shoqërisë civile me qeverinë për të pasur një vizion të përbashkët sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve . Por në të njëjtën kohë  ndihmon dhe donatorët, duke i orientuar ata se në cilat fusha duhet të investohet më shumë, në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Fëmijët në Kosovë, janë 30 për qind e popullsisë. Kemi një rini dhe fëmijë me përqindje goxha të lartë“, tha ajo.

Luigi Brusa, shef i sektorit të bashkëpunimit në Zyrën e BE së në Kosovë, tha se është e rëndësishme që të forcohet sistemi për mbrojtjen e fëmijëve dhe të plotësohet boshllëku në mes të legjislacionit dhe implementimit të tij.

Në indeksin për mbrojtjen e fëmijëve thuhet se  të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një përqindje shumë të lartë të dhunës ndaj fëmijëve në Kosovë, ku 61.4 për qind e fëmijëve kanë konfirmuar përvojat e dhunës fizike/psikologjike brenda mjedisit familjar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat