Presidenti Thaçi i hapi Serbisë edhe një derë në Kosovë

Aktuale

Presidenti Thaçi i hapi Serbisë edhe një derë në Kosovë

Më: 18 janar 2018 Në ora: 13:48
Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq

Menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, presidenti serb tha se do të kërkojë që edhe Serbia të përfshihet në hetimet për zbardhjen e vrasjes. Duke mos i njohur autoritetet kosovare, Vuciq tha se përfshirjen në hetime do t’ia kërkojë EULEX’it. Meqë, edhe sipas EULEX’it, kjo çështje i takon autoriteteve kosovare të vendosin, përfshirja ose jo e Serbisë në hetime mbeti në duart e ministrisë së Drejtësisë së Kosovës. Presidenti Thaçi tashmë ka treguar se janë të hapur për bashkëpunim me Serbinë, lidhur me zbardhjen e vrasjes së politikanit serb.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit në zonën e Mitrovicës së Veriut i acaroi raportet Kosovë-Serbi, që edhe ashtu po ngacmoheshin me deklarata që po vinin nga të dyja anët. Vrasja e politikanit serb, përveç spekulimeve të pafundme, ka të hapura edhe disa pista të hetimeve, në të cilat Serbia po kërkon me ngulm që të përfshihet.

Të martën kur edhe ndodhi ngjarja, pyeti EULEX’in nëse do të lejojnë që Serbia të përfshihet, meqë shteti serb i është adresuar këtij misioni, por në përgjigjen e tyre, zyrtarët e EULEX’it thanë se këtë e vendosin autoritetet e vendore.

Ndërsa, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, konfirmoi dje se ka marrë një shkresë përmes së cilës i është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë që t’u dërgohen informacione shtesë rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Ministri ka thënë se do t’i kthejë përgjigje Serbisë, por këtë vendim do ta marrë pasi të konsultohet më Zyren e Kryeprokurorit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës.

Nga ana tjetër,  Presidenti Thaçi tashmë ka treguar se janë të hapur për bashkëpunim me Serbinë, lidhur me zbardhjen e vrasjes së politikanit serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilluan dje një bisedë telefonike, ku theks të veçantë i kishin vënë vrasjes së Oliver Ivanoviqit mëngjesin e së martës në Veri të Mitrovicës.

Presidenti serb mbetët prapa kërkesës për përfshirje një hetimet e vrasjes. E presidenti Thaçi, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se çka kishin folur me homologun e tij serb. Thaçi tregoi se i është shprehur i gatshëm që, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të ndihmohet nga shteti serb për të zbardhur vrasjen.

“Presidenti Thaçi gjithashtu theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje”, thuhej në kumtesën nga presidenca.

Edhe përkundër faktit që, në mediat serbe, drejtues të institucioneve serbe thonë se po komunikojnë me misionet ndërkombëtare të angazhuara në Kosovë, EULEX tregon se krejt kjo varet se çka vendosin autoritetet kosovare.

Misioni i EULEX nuk merr vendime të kësaj natyre. Autoritetet vendore vendosin se a do të përfshihet apo jo Serbia zyrtare në hetimet peër vrasjen e Oliver Ivanovic.

Ndërsa, autoritetet serbe, ashtu si presidenti serb, janë në pritje që të marrin përgjigjje për t’u përfshirë në hetime, duke përmendur se tashmë veçse ka nisur të mbledhin fakte që cojnë deri te vrasësi i Ivanoviqit.

Drejtori i Policisë së Serbisë, Vladimir Rebiq, në një intervistë për televizionin publik serb, ka thënë se i janë adresuar EULEX’it dhe duan që të jenë pjesë e hetimeve. Poashtu ai ka treguar se Policia e Serbisë ka konfirmur se vetura nga e cila dyshohet se është shtënë në Oliver Ivanoviqin, ka qenë pronë e një serbi në Austri, i cili tashmë ka vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat