Nuk zmbrapset Nasim Haradinaj, vazhdon me gjuhë të ashpër ndaj diplomatëve

Aktuale

Nuk zmbrapset Nasim Haradinaj, vazhdon me gjuhë të ashpër ndaj diplomatëve

Më: 18 janar 2018 Në ora: 19:19
Nasim Haradinaj

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj sot e ka quajtur “palaço” ambasadorin amerikan, Greg Delawie. Por, Haradinaj nuk është ndalur me kaq duke përdorur gjuhë edhe më të ashpër ndaj diplomatit të shtetit më të fuqishëm në botë dhe më mik të Kosovës.

Në një prononcim për mediat vendore, Haradinaj ka thënë se nuk e ka ndërmend t`i kërkojë falje ambasadorit. Madje, ai ka thënë se Delawie bashkë me ambasadorin britanik Ruari O`Connell duhet të japin dorëheqje si diplomatë për shkak të presionit që po iu bëjnë deputetëve për të mos e votuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Mbrëmë edhe kërcënoi, ai nuk mundë të kërcënojë dhe nuk mund t`ia imponojë asnjë deputeti. Ata janë përfaqësues të popullit dhe popullin duhet ta lënë të vendosë. Kujt me i kërku falje? Nëse duhet dikush të kërkojë falje është Delawie me gjithë ambasadorin britanik me i kërku falje këtij populli dhe me dhënë dorëheqje si diplomatë dhe sepse e kanë shkelë demokracinë. Bile, unë mendoj që Delawi është figura më e shëmtuar e politikës amerikane, që nuk i bën nder as Amerikës”, ka thënë ai.

I pyetur rreth reagimit që kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë sot kundrejt deklaratës së tij, nënkryetari i OVL UÇK-së thotë se nuk i bën fare për atë se çka thonë krerët e shtetit, nga presidenti deri te kryeministri.

“Çka ma ndjen more mua se çka thotë kryeministri. Nuk e kam dert kryeministrin, e kam dert punën time. Kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti duhet me qenë të zotët e vetes që mos me e lënë atë me hy brenda dhe me bë çka do ai. I qëndroj mbrapa dhe duhet të turpërohen presidenti, kryeministri, kryeparlamentari që e lënë një diplomat të huaj me hy me u sill sikur turist dhe me iu bë presion deputetëve. Ai i ka thyer të gjitha kufijtë e diplomacisë, i ka kalu shoqi”, është shprehur Haradinaj tutje.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj e ka quajtur të papranueshme deklaratën e Nasim Haradinajt dhe ka bërë thirrje ndaj të gjithëve që të distancohen nga shprehja e papërmbajtshme./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat