Ministri i dekadës

Aktuale

Ministri i dekadës

Më: 20 janar 2018 Në ora: 13:24
Mahir Yagcilar

Mahir Yagcilar është i vetmi ministër në vend, i cili ka arrit që të jetë dhjetë vjet ministër pa asnjë ndërprerje në Qeverinë e Kosovës.

Yagcilar nga komuniteti turk në Kosovë, i cili aktualisht është ministër i Administratës Publike, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se me punë, përkushtim dhe angazhim ka arritur të jetë dhjetë vjet ministër i Qeverisë së Kosovës dhe 6 vjet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Yagcilar: Sivjet i kam bërë dhjetë vjet ministër

 “Jam një kohë të gjatë, vërtet në këto ditë kam plotësuar pa ndërprerjeje dhjetë vjet në Qeveri, ndërsa në institucionet publike jam prej fillimit, prej mandatit të parë. Në vitin 2001, kam qenë deputet dhe pastaj në mandatin e dytë, më vonë jam emëruar si ministër i Mjedisit, por tash është mandati i tretë si ministër i Administratës Publike. Jam përkushtuar të bëjmë diçka më të mirë, më shumë për Republikën e Kosovës, për qytetarët, për komunitetin tonë. Gjithashtu, jam edhe në politikë, suksesi nuk mungon dhe pastaj krijon edhe mundësi të punohet në ekzekutiv ose në sistemin legjislativ”, ka thënë ministri Yagcilar .

Ai beson se edhe në këtë mandat do t’i realizon këto sfida dhe plane sa i përket reformave në administratën publike, në mënyrë që në të ardhmen, Kosova ta ketë një administratë publike evropiane.

Për sa i përket rritjes së numrit të të punësuarve dhe politizimit të administratës publike, ministri Mahir Yagcilar thotë se Komisioni Evropian kërkon që Kosova të krijojë një administratë publike efikase, jo të politizuar, i cili është me përgatitje të duhur me një llogaridhënie dhe më transparente.

Ai ka shtuar se është shumë me rëndësi zbatimi reformave në administratën publike, sepse janë edhe pjesë e agjendës evropiane si parime nga KE-ja.

Yagcilar theksoi se Kosova duhet ta bëjë një organizim sa më të mirë të administratës publike, duke e qartësuar statusin e shërbyesit civil, jo vetëm nëpër institucione qendrore, por edhe ato lokale.

Yagcilar: Reformat do të vazhdojnë

“Reformua e Administratës Publike është një prej çështje të rëndësishme në kuadër të integrimit Evropian të Kosovës, pa marrë parasysh se direktivat nuk ekzistojnë në fushën e administratës publike, por kërkohet që çdo administratë e shtetit të jetë e përgatitur për Bashkimin Evropian dhe për zbatimin dhe direktivat evropiane. Në këtë aspekt, reforma do të vazhdon edhe më tutje, sepse vërtet administrata publike e Kosovës duhet të jetë e përshtatshme për të ardhmen, që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Në këtë aspekt në vitin e kaluar punuam në konsolidimin e ligjeve, ku kemi bërë përgatitjen e koncept dokumenteve ”, ka thënë ai.

Ministri Yagcilar shtoi se kanë bërë përgatitjen e koncept dokumenteve, të cilat janë tri ligjet reformuese, si ligji për Shërbimin Civil, ligjin për Organizimin e Administratës Publike dhe Ligji për Pagat.

Në këtë vit ai tha se duhet ta përfundojnë hartimin e projektligjeve reformuese dhe pastaj të procedojnë për aprovim në Qeveri dhe në Kuvend. 

Ai ka shtuar se Ministria Administratës Publike ka edhe obligime të tjera sa i përket akomodimit të institucioneve, menaxhimit të burimeve njerëzore në shërbimin civil. Sipas tij, për çdo vit nga buxheti i Kosovës shpenzohen nga 7 milionë euro për qira të objekteve. 

Yagcilar: Shtatë milionë euro në vit paguajmë qira për objekte

“Janë agjencitë e ndryshme në kuadër të institucione, nuk janë shumë institucione ose ministri që janë jashtë ndërtesave qeveritare, por sido qoftë sërish janë disa institucione dhe për afërsisht për çdo vit nga buxheti i Kosovës paguhet afër 7 milionë euro në nivel shtetëror, shumica janë për nevoja të ambasadave dhe konsullatave jashtë shtetit, ndërsa për afërsisht prej kësaj shume 20 për qind janë për objekte brenda Kosovës, për disa institucione të ndryshme të cilat për fat të keq ende nuk mund të sigurojnë hapësirat qeveritare”, ka thënë ai.

Ai në fund ka thënë se janë të përkushtuar që të krijojnë shërbime adekuate për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe për rreth 80 mijë shërbyes civil në administratën publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat