Rugova ishte dhe mbetet njeriu i epokave

Aktuale

Rugova ishte dhe mbetet njeriu i epokave

Më: 21 janar 2018 Në ora: 14:39
Akademia përkujtimore të organizuar nga LDK, me rastin e 12-vjetorit të vdekjes së Rugovës.

Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për mësimet dhe vizonin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, i cili kultivoi në Kosovë një kulturë demokratike që është model i përmasave globale.

Kështu u tha në akademinë përkujtimore të organizuar nga LDK, me rastin e 12-vjetorit të vdekjes së Rugovës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, tha se gjatë jetës së tij, Rugova na udhëhoqi me standardët më të larta demokratike.

Sipas tij, ai ishte dhe mbetet njeriu i epokave, duke u bërë mik i shquar i botës demokratike.

Image
Agim Veliu

Veliu: Kultura demokratike që kultivoi është model i përmasave globale

“Kultura demokratike që kultivoi ai në Kosovë është model i përmasave globale, diskursi i tij politik ishte pozitiv, afirmativ, demokratik dhe largpamësia nuk merrej me kritika dhe gjëra të vogla sepse përqendrimin e kishte në punë të mëdha, presidenti ynë është nga të rralla personalitete politike që e çmojmë të gjithë pa përjashtim ideologjik, politikë, religjioz dhe etnik. Bota demokratike e ka personifikuar Kosovën për gati dy dekada me këtë personalitet që i dha shumë Kosovës dhe nuk i morri asgjë”, tha ai.

Veliu pati kritika edhe për politikanët e sotëm.

Veliu: Politikanët e sotëm po e rrezikojnë shtetin me interesa personale

“Kosova ka shumë nevojë që të mësojë nga përvoja politike e presidentit historik, i cili gjithmonë i vendoste interesat e popullit dhe shtetit në rend të parë, për dallim nga këta të sotmit që po rrezikojnë shtetin dhe aleancat strategjike për interesat e tyre  personale. Përkundër tendencave të ulëta, Kosova dhe Lidhja Demokratike, si parti më e madhe në vend, asnjëherë nuk do të lejojë që miqësinë e krijuar për dekada nga populli i Kosovës dhe presidenti historik të rrezikohen nga njerëz të papërgjegjshëm për shtetin dhe të ardhmen e tij”, tha ai.

Sipas tij, shteti i Kosovës është më i rëndësishëm që ne dhe nuk mund të nëpërkëmbet nga disa politikan që njohin vetëm interesat e veta.

Image

Veliu: Sot Kosova është me e izoluar sesa në vitet e 90-ta

“Sot Kosova është me e izoluar ndërkombëtarisht sesa në vitet e 90-ta kur Rugova vepronte nën regjimin e Aparteidit. Dyert e aleatëve janë mbyllur për shkak të politikanëve joseriozë dhe kauzave të rrejshme të tyre, të cilët qëllimin e vetëm e kishin vetëm ardhjen në pushtet. Thika pas shpine për aleatët amerikanë dhe evropianë, është thikë pas shpinë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për denigrimin e shtetit dhe për vazhdimin e abuzimeve me pasurinë publike”, tha ai.

Ai shtoi se mënyra se si qeveriset Kosova sot nuk është rruga që i ka mësuar Rugova, por është pikërisht e kundërta e saj, pasi Kosova do të zhvillohet ekonomikisht dhe do të rritet perspektiva vetëm nëpërmjet aleancës së ngushtë me aleatët tanë.

Veliu nuk ka pa lavdëruar edhe qeverisjen Mustafa. duke thënë të gjitha raportet ndërkombëtare ishin pozitive për Kosovën, kishte kujdes ndaj pasurisë publike dhe u krijuan 40 mijë vende të reja të punës, ndërsa, ekonomia u rrit mbi 4 përqind.

Ne sot kemi nevojë më shumë se kurrë për mësimet dhe vizonin e tij, ishin këto fjalët me të cilat Veliu e ka përmbyllur këtë akademi, për 12-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat