“Ne jemi policia e dr. Ibrahim Rugovës, kush jepte urdhrat për vrasjet në Kosovë”

Aktuale

“Ne jemi policia e dr. Ibrahim Rugovës, kush jepte urdhrat për vrasjet në Kosovë”

Nga: P.R Më: 22 janar 2018 Në ora: 18:17
Foto arkiv, Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorë

Në librin “Lufta pa Maska”, të autorit Gani Geci, ndër ngjarjet që rrëfen Geci, është edhe ajo e vrasjeve të intelektualëve shqiptarë.

Geci, rrëfen edhe njërin nga takimet që ishte diskutuar për vrasjet e intelektualëve shqiptarë.

“Edhe një thyerje tjetër që e kemi patur ka qenë tek Abedin Rexha në janar apo shkurt të vitit 1998. Me faks kishte ardhur në Prishtinë kërcënimi në të cilën thuhej se ishin «dënuar me vdekje disa gazetarë e zëdhënës, kryeredaktorë të gazetave dhe vetë Rugova». Ne ishim tek Abedin Rexha, me Ademin, Mujë Krasniqin, Rexhep dhe Sylejman Selimin dhe Jetullah Gecin - komandantin e Llaushës. Të gjithë e hapëm temën se si mund të ndodhte ajo punë? I pranishëm qe edhe Nuhi Geci, i cili tha: - Në qoftë se është e vërtetë kjo, se iu kanë kërcënuar Rugovës e të gjithë këtyre njerëzve tjerë, unë sot po e lë pushkën, se nuk dua të vras shqiptarë! Rexhep Selimi na tha se ishte hera e parë që po dëgjonte për këso rastesh. Mandej ne e kaluam atë temë, mirëpo tërthorazi kuptuam se ka shenja të kërcënimeve ndaj njerëzve publikë dhe redaktorëve të gazetave të ndryshme të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në librin “Lufta pa Maska”.

“Për të argumentuar këtë më duhet të kthehem në vitin 1994. Në atë kohë më ka ardhur një ofertë, jo nga Adem Jashari sigurisht, por nga dikush tjetër, për të vrarë kryeredaktorin e gazetës erotike «Amori». Nuk më kujtohet emri i tij. Unë e kisha lexuar një numër të asaj gazete. Fatbardhësisht, kisha qenë në Gjermani dhe kisha parë me qindra gazeta erotike e pornografike, të cilat nuk e pengonin askënd, si rrjedhim nuk më shkoi fija e mendjes ta vrisja kryeredaktorin e saj. Në qoftë se niseshim nga arsyetime të tilla, atëherë do të na ishte dashur t'i vrasim gjithë redaktorët perëndimorë të gazetave të ngjashme. - Jo, kjo punë, për të vrarë këtë redaktor nuk është asgjë, ai nuk po bën asgjë të keqe, me kurrfarë politike nuk po merret! qeshë shprehur, pasi mora atë «urdhër». Këtë ofertë-urdhër e kam marrë prej Rexhep Selimit, të cilin unë nuk e njihja në vitin 1994. Me këto që po them dua të vë në dukje ekzistencën e dy vijave, qysh atëherë, të cilat janë përpjekur të bashkëngjiten në vitin 1997. Me urdhërin e Lëvizjes Popullore të Kosovës Rexhep Selimi shkon tek Adem Jashari. Rexhepi deklaron se kishte ardhur tek Adem Jasharaj me urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm, për ekzisencën e të cilit ne nuk kemi ditur asgjë”, ka rrëfyer ish ushtari i UÇK-së, dhe ish deputeti i LDK-së.

Sipas Gecit, këtë deklaratë Rexhep Selimi ia ka dhënë javores «Zëri» pas luftës.

“Unë personalisht e kam kërkuar Shtabin e Përgjithshëm dhe nuk e kam gjetur. Ne, komandant e kemi pasur Adem Jasharin, e asnjë tjetër. Me rastin e bashkimit të këtyre dy vijave, ato janë bashkuar me qëllime të ndryshme. Ata e kanë patur qëllimin e vet, ndërsa Ademi me qëllim të përkrahjes së Shtetit të Republikës së Kosovës”, rrëfen Geci.

Ai ka kujtuar edhe një rast kur, Geci, se bashku me bashkëluftëtarë të tjerë thonin me krenari se ishin policia e Rugovës.

“Ishte një e enjte, e vitit 1993, muaji nuk më kujtohet, por e di se ishte ditë e enjte. Në Skënderaj kishte ardhur Çun Muharremi nga Drenasi, i cili kishte deklaruar në Televizionin e Novi Sadit, se e dinte se kush i kishte vrarë policët në Skënderaj dhe në Drenas te stacioni i autobusëve. Unë nuk e njihja atë, por Baci Lilë më tregoi se Çuni kishte mustaqe dhe se kishte shtat të gjatë. Morëm vesh se punonte në postën e Drenasit dhe se ishte spiun shumë i rrezikshëm. Madje ai kishte filluar të krijonte edhe rrethin e vet të bashkëpunëtorëve në Drenas. Unë shkova në Prekaz dhe u tregova Sami Lushtakut, Fadil e Ilaz Kodrës, se ky laper gjendet në Skënderaj. Së bashku jemi nisur për në Skënderaj për ta gjetur atë, por ai kishte shkuar në Drenas. Kështu që, me automobilin e Bacit Lilë morëm rrugën për në Drenas. Xhavahiri i jepte makinës, kurse ne të tjerët ishim të armatosur me revole dhe bomba. Në hyrje të qytetit kishte gjithnjë kontrollime në post-bllokun policor, por ne vendosëm ta kalojmë ndalesën ashtu të armatosur. Në rast se do të na ndalnin kishim vendosur që të qëllonim mbi policinë. Detyrat ishin të ndara, çdonjëri nga ne duhej të godiste nga një kriminel. Por fati e deshi që policia e kishte braktisur postin para se të kalonim ne”.

“Ne hymë në qytetin e Drenasit ndërkohë që automjetin e kishim parkuar në hyrje të qytetit. U ndamë dy nga dy dhe i ramë në këmbë qendrës së qytetit, me të vetmin qëllim për të takuar atë laper. I pyetem disa njerëz e ata na treguan se ai kishte marrë drejtimin e Ferronikelit, i shoqëruar nga një pylltar. Vrapuam derisa para nesh pamë spiunin e pylltarin. Me Fadil Kodrën shpejtuam hapat për ti zënë. Kur u takuam e pyetëm:

 - A je ti Çun Muharremi?

- Po!, - u përgjigj.

- Na trego letërnjoftimin për t'u siguruar!, - ia kthyem ne. Ai na dha letërnjoftimin.

- Të ulemi për disa minuta për të biseduar për diçka!, vazhduam ne. U ul edhe pylltari.

- A ke dhënë kohët e fundit ndonjë intervistë në televizionin e Beogradit?, e pyetëm.

- Jo të Beogradit, por të Novi Sadit!, - na u përgjigj ai.

- Prej nga i ke të gjitha ato informacione?, - e pyetëm.

 Në atë moment i pamë duke ardhur nga ana e poshtme e malit Sami Lushtakun, Xhevahir Gecin e Ilaz Kodrën.

 - Çka po e pyesni këtë spiun?, - na pyeti Samiu. Pastaj i dhamë «një mësim shumë të mirë» aq sa mbi kokën e tij m'u thye edhe gishti.

 - Kush jeni ju, more burra?, - na pyeti pylltari.

 - Jemi policia e Rugovës!, - iu përgjigjëm”, vijon më tej Geci.

Sipas tij, në atë kohë dëshironin të fshiheshin prapa rrugës paqësore.

 “Në atë kohë edhe ne dëshironim të fshiheshim prapa rrugës paqësore. Disa të rëna i mori edhe pylltari, të cilit ia tërhoqëm vërejtjen të mos rrinte me spiunë, sepse rrezikonte të përjetonte fatin e tyre. U kthyem trup arave dhe dolëm në Gllobar afër Tërstenikut, kurse Xhevahir Geci u kthye në qytet për ta marrë automobilin dhe për t'u kthyer në Skënderaj. Ne dolëm në rrugen kryesore afër Tërstenikut ku erdhi edhe Xhevahiri me automobil dhe na mori. Pastaj vazhduam rrugën për në Skënderaj. Policia kishte filluar të bënte bashkëpunëtorë në fshatra e qytete, kërkonte armë çdokund, ku kishte informata se mund t'i gjente ato. Herë pas herë shkonim te Ademi, ku këshilloheshim si të vepronim në të ardhmen”, ka rrëfyer Geci në librin e tij, “Lufta pa Maska”.

Sipas tij, aksioni tjetër ishte kryer  nga njësiti i Prekazit, konkretisht nga Sami Lushtaku dhe Ilaz Kodra.

“Hashim Thaçi nuk ka qenë i pranishëm. E vërteta është se ai ka qenë nja dy javë para se të kryhej ky veprim, me Avni Nurën dhe Besim Ramën, deri tek rruga e trenit në Drenas. Aty kanë pritur rreth 45 minuta me shpresë së mos vinte ndonjë mjet i policisë. Por, meqenëse nuk kishte kaluar asnjë automjet, ata ishin larguar. Pas këtij «rasti heroik» Hashimi u dënua me dhjetë vjet burg në mungesë. Të paktën kështu kanë dëshmuar dy shokët e tij që ranë në burg. Deklaratat e tyre na janë bërë të njohura përmes shtypit tonë. Pas aksionit të Sami Lushtakut dhe Ilaz Kodrës, policia ndërmori masa të rrepta dhe arrestoi shumë njerëz. Ne ishim të ndërgjegjshëm që për shkak të veprimeve tona dikush do ta pësonte, por nuk kishte rrugë tjetër. Masa filloi të na kuptonte dhe efekti i atyre aksioneve ka qenë i madh. Njerëzit u bindën se me policinë serbe jo vetëm që nuk duhej bashkëpunuar, por duhej luftuar kundër saj. Nga ana tjetër as ata nuk guxonin të ndërmerrnin vepra kundër shqiptarëve haptas, sepse frikësoheshin se mund t'i gjente i njëjti fat si i kolegëve të tyre”, ka rrëfyer Geci.

“Më vonë Sami Lushtaku e Ilaz Kodra kishin kaluar në Gjermani, ku kishin rënë në kontakt me Ibrahim Kelmendin dhe Fehmi Lladrovcin. Të dy këta ishin inkuadruar atje në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Edhe kërkesat për azil i kishin bërë si anëtarë të LPK-së. Ibrahim Kelmendi, një eksponent i Lëvizjes Popullore, marksist-leninist i regjur, por për çudi edhe njeri i njëqind ngjyrave kur e kërkonte nevoja, kishte arritur të infektonte edhe djem të tjerë të Drenicës, gjyshërit e të cilëve kishin qenë ballistë e luftëtarë të Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Hashim Thaçi kaloi në Zvicër. Ndërsa Adem Jashari nuk pranoi ta lëshonte asnjëherë Kosovën, as Hamza, as nipat, Luli etj”, thuhet në rrëfimin e Gani Gecit, në librin e tij “Lufta pa Maska”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat