Pretendon se është e sëmurë, për ta shmangur gjykimin për plagosje të vëllait

Aktuale

Pretendon se është e sëmurë, për ta shmangur gjykimin për plagosje të vëllait

Më: 23 janar 2018 Në ora: 07:26
ilustrim

E akuzuara I.K. po kërkon që t’i shmanget gjykimit pasi që pretendon se është e sëmurë mentalisht.

Ajo është e akuzuar për vrasje në tentativë të vëllait, për shkak të një çështjeje pronësore.

Për shkak të këtij pretendimi, mbetet që të njëjtës t’i bëhet ekspertiza psikiatrike, “në mënyrë që të konstatohet se a mundet ajo t’i nënshtrohet gjykimit” tha gjykatësi Arben Hoti.

Kjo çështje është kthyer në rigjykim për herë të dytë. Në gjykimin e kaluar, e akuzuara I. K., ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muajve.

I akuzuar në këtë proces ishte edhe R. Th., i cili jetonte në bashkësi jashtëmartesore me të akuzuarën I. K.

Ai ishte dënuar në kohëzgjatje prej 5 vjetësh, dhe tani nuk është pjesë e rigjykimit.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 6 qershor të vitit 2006 rreth orës 17:25, në terrasën e restorantit “Pllavi” në Graçanicë.

Prokuroria pretendon se për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në lidhje me kontestin pronësor familjar, në mes tani të dëmtuarit B. L. dhe motrës së tij e cila tani më është e akuzuar, I. K., i pandehuri i dytë R. Th., me dashje që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin të cilin e ka ftuar të takohen në restoran.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi dy të akuzuarit kanë arritur në parkingun e restorantit, i pandehuri ka dalë nga vetura që ishte duke e drejtuar e akuzuara I. K. dhe është drejtuar në terasë ku e priste tani i dëmtuari dhe me shpejtësi i është afruare atij, duke iu drejtuar me fjalët: “ku je bre biri i sh…, se tash ka me ta q* nanën”.

Pas këtyre fjalëve prokuroria pretendon se i njëjti ka nxjerrë nga brezi revolen e tij zyrtare të markës “Glock”, dhe në një largësi prej dy metrash duke mbajtur revolen me të dy duart, ka shtënë 16 herë në drejtim të tij derisa i është harxhuar komplet karikatori.

Me këtë rast, ai i kishte shkaktuar viktimës plagë të rënda në kafaz të krahërorit, në të dy krahët, stomak dhe në pjesë tjera të trupit.

Pas kryerjes së veprës, i tashmë i dënuari ka hyrë në veturën në të cilën e priste e akuzuara dhe që të dy ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjares.

Me këtë motra e viktimës ngarkohet me veprën penale vrasje në tentativë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat