Mesazhet e dyshimta për dëshmitarët e Speciales

Aktuale

Mesazhet e dyshimta për dëshmitarët e Speciales

Më: 23 janar 2018 Në ora: 10:41
Ilustrim

Emisioni i fundit i “Drejtësisë në Kosovë” shfaqi hulumtimin për të ‘premten e frikshme’, në të cilën u tentua shfuqizimi i ligjit për gjykatën speciale. Tentativa për shfuqizimin e speciales mori vlerësime të ndryshme nga analistët, njohësit e rrethanave në Kosovë, dhe shtetet mike.

Deklarata mbështetëse, analiza e deri te zotimet për pasoja për Kosovën janë dëgjuar në debatin, i cili nisi me peticionin e veteranëve e përfundoi me “aksham pazarin” e Kuvendit, mbrëmjen e 22 dhjetorit.

Kuvendi, pas 22 dhjetori shkojë në pushim 3 javor, ndërsa debati nuk u ndal me tonë të ashpëra pro apo kundër shfuqizimit, por asnjëherë nuk u përmendën pasojat që këto komente mund t’i kenë te dëshmitarët e mundshëm.

Ekspertët e shohin si të rrezikshëm debatin për dëshmitarët e mundshëm që do të paraqiten në Gjykatë. Bekim Blakaj nga “Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë” thekson se nisma në një mënyrë ka ndikuar te dëshmitarët.

“Nuk e di se a ka ndikuar që ata të ndihen më të rrezikuar, por sigurisht i ka bërë me u ndi ma keq sepse ishte një lloj kampanje që Gjykata është diçka e keqe, është imponuar nga ndërkombëtarët dhe kushdo që bashkëpunon me të është në njëfarë forme tradhtar dhe punon kundër interesave shtetërore të Kosovës”, tha Blakaj.

Kuvendi i Kosovës dështoi ta shfuqizojë Ligjin për Gjykatën Speciale, mirëpo dëmi te dëshmitarët ka mbetur.

“Gjithmonë epiteti i tradhtarit në rastet e tilla është i mundshëm. E kemi pa edhe nga e kaluara sidomos kur një shqiptar del me dëshmu kundër një shqiptari, atëherë epiteti i tradhtarit është i pamohueshëm që ka me ju jap”, tha Artan Demhasaj nga organizata “Çohu”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk e ka komentuar nismën për shfuqizimin e Speciales, mirëpo u zotua se Kosova do t’i kryej obligimet për këtë gjykatë.

“Siç jemi të informuar të gjithë ka qenë një përpjekje për shfuqizim të Gjykatës Speciale nga një grup i deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Ajo ka mbet aty ku ka mbet dhe unë nuk do ta komentoj se a ka qenë iniciativë e drejtë apo e padrejtë, mirëpo unë do të punoj konform ligjeve që janë në fuqi”, tha Tahiri. “Kam dëgjuar shumë thënie se kjo gjykatë nuk e gjykon luftën, por i gjykon individët e caktuar. Me thanë të drejtën pak më duket e pakuptimtë kjo punë, sepse nuk mund të gjykosh individë të caktuar që kanë udhëhequr luftën e mos ta gjykosh luftën e UÇK-së. Ajo është e pamundur.”

Viktimat e krimeve që pretendohet se do gjykohen në këtë gjykatë poashtu nuk janë ndier mirë. Hajriz Kastrati, babai i gazetarit të vrarë Bekim Kastrati theksoi se dikush duhet ta nisë punën e zbardhjes së vrasjeve të pasluftës që konsiderohen të motivuara politikisht.

Ai tregon shenja dyshimi në drejtësinë vendore.

“Jo tybe nuk i zgjidhin kurrë se kurrë hala një gjykatës shqiptar nuk m’ka thirr, asnjë polic shqiptar nuk m’ka marrë në pyetje. Qysh e çka, as kurrë në derë nuk m’ka ardhë kurrë. UMNIK-u u ardhë (edhe) EULEX-i, këta (vendorët) kurrë. Këta nuk janë të zotët sepse nuk guxojnë edhe gjysma janë me ta tanë të lidhur janë ata”, theksoi Kastrati.

Shkëmb Manaj, djali i Shaban Manajt, aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i vrarë pas luftës në Kosovë thotë se nuk ka qenë kërkesë e tyre formimi i kësaj gjykate.

“Nisma për rrëzimin e speciales konsideroj se nuk është e mirë dhe nuk është serioze. Kjo do t’i bëjë dëm proceseve dhe do të ndikojë direkt te dëshmitarët eventualë në këtë gjykatë, sepse nëse liderët kryesorë të vendit dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës tentoi ta shfuqizoj ligjin dhe ta paraqesë gjykatën si një të keqe për Kosovën, kjo do të ndikoj direkt te dëshmitarët që të mos dëshmojnë apo t’i tërheqin dëshmitë e tyre”, tha Shkëmb Manaj.

Poashtu Emisioni “DnK” sjelli intervistat me zyrtarit e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me të cilët është diskutuar për gjendjen pas inicimit të shfuqizimit të gjykatës.

“Ne nuk jemi një organizatë politike dhe nuk komentojmë publikisht mbi nismat politike. Ne kemi mandatin tonë sipas Ligjit të Posaçëm dhe jemi të fokusuar në zbatimin e tij për të përmbushur përgjegjësitë tona. Në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve, ne jemi shumë të vetëdijshëm për atë që është në rrezik. Ne kemi përfituar nga përvoja e gjykatave dhe gjykatave të tjera, jo vetëm në Hagë, dhe po zbatojmë mësimet që janë mësuar. Megjithatë, ne nuk bëjmë dhe nuk do të komentojmë për çështjet operacionale”, ka thënë për ‘DnK’ Chris Bennet, zëdhënësi i Zyrës së prokurorit të Specializuar.

Në një bisedë për ‘Drejtësia në Kosovë’ Avis Benes zëdhënësja e gjykatës speciale ka folur për programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe mundësisë që debati i ngritur në Kosovë të ketë ndikuar në proceset e ardhshme

“Siç e kemi përsëritur disa herë, ne si Dhoma të Specializuara të Kosovës jemi institucion gjyqësor dhe ne nuk kemi komente në lidhje me zhvillimet politike, duke përfshirë edhe këtë të fundit”, theksoi Benes duke shtuar edhe përkrahjen që janë duke e dhënë në mbrojtje të dëshmitarëve.

“Brenda zyrës sonë të Dhomave të Specializuara, ekziston një njësi e veçantë për mbrojtje dhe përkrahje të dëshmitarëve dhe qëllimi i saj është që të ofrojë mbrojtjen e duhur për dëshmitarët që mund të jenë në rrezik si pasojë e dëshmisë së tyre por jo vetëm ata por edhe personat e tjerë që mund të jenë në rrezik nga dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët”, tha Benes.

Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar thonë se janë rrugës për t’i ngritur aktakuzat e para.

Argument i qeveritarëve e deputetëve se gjykata është e padrejtë është hedhur poshtë nga ndërkombëtarët.

Gjykata është për të sjellë drejtësi për viktimat e jo për të gjykuar luftën apo ndonjë etni, ka thënë se Greg Delawi ambasadori amerikan në Kosovës në një paraqitje para publikut. Sipas tij, më të diskriminuarit në këtë rast janë viktimat e krimit ata që për një kohë të gjatë pritën që kjo gjykatë dhe gjykatat e tjera të ngjashme do sjellin drejtësi për ta./Drejtesia në Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat