Ligji për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror ngrit cilësinë e punës në pikat kufitare

Aktuale

Ligji për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror ngrit cilësinë e punës në pikat kufitare

Më: 23 janar 2018 Në ora: 12:55
Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë ditës së sotme me gjashtë vota për dhe një kundër ka miratuar raportin me propozim-amendamentet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.

Ky ligj sipas anëtarëve të komisionit ka të bëjë me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit për lëvizje jashtë Kosovës dhe për ata që kanë migruar në Kosovë apo vijnë në mënyrë jo ligjore në vendin tonë.

Kurse amendamentet që i ka dërguar Lista Serbe anëtarët thanë se kanë të bëjnë me lëvizjen dhe migrimin brenda Kosovës që nuk është tematikë e këtij ligji, andaj edhe ky ligj nuk është miratuar nga anëtarët e komisionit dhe do t’i dërgohen Kuvendit pa pëlqimin e komisionit.

Anëtari i komisionit, Fatmir Xhelili, tha se me plotësimin e ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror do të ngritë cilësinë e punës në pikat kufitare.

Xhelili: Të ngrit cilësinë e punës në pikat kufitare dhe në kontrollin kufitar

“Propozim-ndryshimi për ligjin e parë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror, grupi punues ka pasur takime edhe ka shqyrtuar nen për nen ligjet. Kanë rrjedhur disa propozime të cilat janë shndërruar në rekomandime. Besoj që me plotësim-ndryshimin që ndoshta edhe shumica kanë qenë teknike, por edhe dy tri përmbajtjesore. Ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror që të mund të aplikohet dhe që të ngrit cilësinë e punës në pikat kufitare dhe në kontrollin kufitar”, tha ai.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur edhe arsyen se pse si grup punues nuk janë përcaktuar për të përkrahur amendamentet e Listës Serbe.

Xhelili: Amendamentet që i ka sjell Lista Serbe nuk është tematikë e këtij ligji

“Amendamentet janë me përkrahje të komisionit dhe pa përkrahje të komisionit, faktikisht amendamentet e Listës Serbe janë pa përkrahjen e komisionit dhe janë amendamente të cilat trajtojnë problematikë tjetër e jo problematikën e cila e kontrollon ky ligj që e krijon hapësirën ligjore për t’u zbatuar ky ligj. Faktikisht, ka të bëjë me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit për lëvizje jashtë Kosovës dhe për ata që kanë migruar në Kosovë apo vijnë në mënyrë jo ligjore në Kosovë. Kurse amendamentet që i ka sjellë Lista Serbe kanë të bëjnë me lëvizjen dhe migrimin brenda Kosovës që nuk është tematikë e këtij ligji. Për këtë arsye edhe grupi punues nuk është përcaktuar për t’i përkrahë këto amendamente”, ka thënë ai.

Kundër amendamenteve të Listës Serbe ka qenë edhe anëtari i këtij komisioni Rexhep Selimi, i cili ka thënë se ato nuk kanë të bëjnë me ligjin përkatës.

Selimi: Qysh tash deklaroj se do t’i votoj kundër

“Unë kam vërejtjet dhe qysh tash deklaroj se do t’i votoj kundër, sepse edhe nuk kanë të bëjnë me ligjin përkatës edhe janë të motivuara ndryshe prej asaj që kemi trajtuar ne. Kështu që unë po mendoj se nuk kemi nevojë pse të futemi në tema të tjera, të vazhdojmë me procedimin nëse marrin përkrahjen amendamentet e kolegut i rekomandohen dhe i procedohen seancës, nëse nuk marrin po ashtu shkojnë në seancë pa përkrahje të komisionit dhe në fund fjalën përfundimtare e ka Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i komisionit nga Lista Serbe, Zoran Mojisloviq, pas gjithë diskutimit tha se amendamentet e propozuara nga Lista Serbe t’i dërgohen Kuvendit pa pëlqimin e komisionit.

Mojisloviq: Këto amendamente nuk kanë të bëjnë me këtë ligj

“Tash e shoh se këto amendamente nuk janë dhe nuk kanë të bëjnë me këtë ligj, pasi që disa obligime që janë theksuar nga marrëveshja ndërkombëtare nga dialogu në Bruksel, unë mund të shpreh kundërshtimin me këtë qëndrim. Shenjat që përmenden këtu, në terren nuk zbatohen dhe me këtë nuk mund të pajtohem me qëndrimin tuaj dhe as nuk do të votoj për propozimin që keni dhënë”, tha ai.

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së është bërë e ditur se në mbledhjen e radhës do të jetë për raportim komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat