Rama: FSK e gatshme për misionin e ri, presim vendimin politik

Aktuale

Rama: FSK e gatshme për misionin e ri, presim vendimin politik

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 14:36
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka konfirmuar edhe një herë se forca që ai drejton është e gatshme të marrë misionin e ri, porse vetëm duhet vendimi politik. Këtë ai e ka thënë në raportim para anëtarëve të Komisionit për Punë të Brendshme, ku edhe ka paraqitur raportin vjetor.

Rama tha se qëllimi kryesor i tyre është që ta kenë një institucion që është në shërbim të gjithë qytetarëve dhe që do të ofroj siguri për gjithë qytetarët e Kosovës.

Po sipas tij, nuk ka asnjë tendencë apo indikacion që ata janë duke ndërtuar një institucion që do të jetë rrezik për dikë tjetër.

Rama: Jemi të gatshëm për misionin e ri

“E them me përgjegjësi të plotë se FSK-ja është e gatshme në çdo kohë, dhe në çdo moment kurdo që merret vendimi politik që të filloj t’i implementoj planet që ne i kemi ndërtuar bashkërisht me partnerët tanë, që nga viti 2014 pas rishikimit të sektorit të sigurisë, detyrat dhe misionet që kanë dal. Ne i kemi marrë masat, është një plan afatmesëm dhe afatgjatë, por ne kemi shfrytëzuar edhe këtë vakumin ose hapësirën gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi, çka mund ne të bëjmë tash që të jemi sa më të përgatitur që kur të vjen ajo, ta quaj, dita “D” ne të jemi të gatshëm”, tha Rama.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e quajti real vlerësimin që qytetarët ia bëjnë FSK-së, duke e renditur si institucionin me të besueshëm në vend. Mirëpo, sipas tij, kjo tregon edhe një fakt.

Selimi: Për FSK-në s’kemi dallueshmëri si parti

“Kjo e manifeston atë nevojën dhe dëshirën që kanë qytetarët e Kosovës për ta pasur forcën e vet ushtarake në nivel sa më të mirë, e po ashtu edhe njëherë manifeston dëshirën e qytetarëve të Kosovës për mbrojtje ushtarake. Në këtë rrafsh në vazhdimësi ka qenë kështu, por do të jetë edhe në të ardhmen kështu, që ju do ta keni mbështetjen edhe të Komisionit, dhe këtu nuk kemi dallueshmëri sa i përket asaj se si ne e shohim FSK-në, pra ushtrinë e Kosovës dhe kjo mos dallueshmëri është pozitive edhe për zhvillimin tuaj”, theksoi Selimi.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, kërkoi nga Rama sqarimin rreth procesit të transformimit, sepse qytetarët mund të mos e kuptojnë pse kaq shumë vite duhet për tu kryer ky transformim.

Por, Rama tha se kjo është në bazë të vlerësimeve që kanë bërë, por nëse shteti vlerëson ndryshe që duhet përshpejtuar ky proces, atëherë ata janë të gatshëm, porse ka implikime buxhetore.

Rama: S’mund ta ndërrojmë një mision për një kohë të shkurtë

“Sa i përket çështjes së transformimit, e di që është temë dhe nganjëherë edhe po keqkuptohemi me ato se ka pasur edhe raste që kanë thënë pse dhjetë vjet. Është e pamundshme ta ndërrojmë një mision për një kohë shumë të shkurtë. Krejt këto suksese të arritura që unë i përmenda i kontribuojnë asaj. Unë shpesh herë e them edhe tek njerëzit, ata ushtarë që janë në “West Point” nuk mësojnë për emergjenca, por janë ushtarë në një akademi prestigjioze në botë...Por nuk do të thotë që nëse nesër është prioritet i shtetit nuk mund ta shkurtojmë atë afat kohor, por është një çështje që në nivelet tjera duhet të diskutohet dhe të vlerësohet. Por ne me këto kapacitete aktuale me mundësitë që kemi qenë të kujdesshëm që të mos bëhemi barrë e shtetit, ne mund ta bëjmë. Por për ta krijuar një mision të ri dhe me kriju kapacitete të reja duhet kohë”, u shpreh Rama.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ishte i interesuar të dijë me shumë rreth përbërjes së FSK-së.

Nitaj: Dua të di cila është përqindja gjinor, mosha, shkollimi, trajnimi në FSK

“Unë si deputet, si anëtar i këtij komisioni, do të doja, nga ju se çfarë po bënë FSK që pas një vendimi politik që do të nënkupton transformimin e saj ajo të ishte e gatshme që këtë ta kryente në një periudhë me të shkurtës. Do të doja të dijë sa është numri i njerëzve në FSK, cila është përqindja gjinor e tyre, mosha, shkollimi, trajnimi, do doja të di cili është kuadri i oficerëve, kuadri udhëheqës, cili është përfaqësimi rajonal në FSK”, pyeti Nitaj.

Ndërsa, gjeneral Rama ka shpjeguar thuajse në detaje rreth përfaqësimit gjinor, etnik, shkollimin.

Rama: Kemi 8 përqind femra në FSK

“Ne si Forcë i kemi 2500 pjesëtar dhe i kemi në përqindje nëse flasim për barazi gjinore kemi 8 për qind të femrave që shërbejnë në FSK, të minoriteteve kemi 10.2 për qind dhe grada më e lartë femër është kolonelë që shërben, pa i llogaritur edhe gradat tjera. Struktura komanduese, dihet janë gjeneral me tre yje dhe dy gjeneral me dy yje, që njëri është komandant i forcave tokësore dhe tjetri komandant i operacioneve brenda ministrisë dhe kemi tri njësi kryesore që kanë nga një gjeneral brigade”, theksoi ai.

Në këtë raportim, Rama ka folur edhe për raportin vjetor të punës së tij, ku tha se kanë bërë punë të jashtëzakonshme kohëve të fundit me integrimi e pjesëtarëve nga komuniteti serb. Sipas tij, aktualisht në të gjitha nivelet nga komuniteti serb janë 103 pjesëtarë.

Po ashtu, komandanti i FSK-së njoftoi edhe për deminime që kanë kryer, ku deri më tani kanë pastruar 7 milion metra katror, derisa janë të identifikuara edhe 110 fusha të minuara, për dominimin e të cilave nevojitet një kohë prej 10 vjetësh. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat