Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi tha se angazhimi dhe financimi nga ana e GIZ-it gjerman ka për qëllim jo vetëm mundësinë që fëmijët të kenë kushte dhe angazhim të barabartë në edukimin e tyre.
Ai kërkoi mbështetje nga mësimdhënësit, prindërit dhe nga gjithë akterët që janë në gjendje të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Bytyqi : Të kemi një edukim dhe një cilësi ndryshe të arsimit në Kosovë
“Ky angazhim dhe ky financim nga ana e GIZ-it ka filluar pothuajse që me muaj të tërë dhe ka për qëllim jo vetëm mundësinë që fëmijët tanë të kenë kushtet e barabarta dhe angazhim të barabartë në edukimin e tyre , por që në përgjithësi të kemi një edukim dhe një cilësi ndryshe të arsimit në Kosovë. Ne si Ministri e Arsimit , Shkencës dhe Teknologji në Kosovë dhe partnerët nuk do të ndalemi dhe të vazhdojmë , por normalisht që duhet ta kërkojmë edhe mbështetjen nga mësimdhënësit, nga prindërit , nga gjithë akterët që janë në gjendje dhe munden ta ndihmojnë arsimin që ta kemi një cilësi me nivel më të lartë që e meritojnë fëmijët tanë”, tha Bytyqi.
Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, shtet ky që po ndihmon në zhvillimin e arsimit në Kosovë tha se ky vend ka kaluar nëpër kohëra shumë të vështira duke bërë dhe duke ndërtuar e rindërtuar në të mirë të vendit .
Heldt: Nëse gjërat bëhen së bashku e kemi suksesin
“ Njerëzit e Kosovës kanë kaluar nëpër kohëra shumë të vështira duke bërë, duke ndërtuar dhe rindërtuar në këtë shtet. Si një shtet multietnik që i jep shans secilit për të mbijetuar, pa marrë parasysh a kemi të bëjmë më një djalosh apo një vajzë , a kemi të bëjmë me një komunitet apo tjetrin nëse gjërat bëhen së bashku atëherë mund të bëhen”, tha Heldt.
Drejtori i Shkollës “Dëshmorët” nga fshati Zhilivodë i Vushtrrisë, Lavdim Klinaku , shkollë kjo që ka fitua projekt nga GIZ-i tha se kjo organizatë gjermane ka bashkëpunuar me shkollat edhe më herët, por tani ka reflektuar me rezultate konkrete në projektet e realizuar nëpër shkolla.
Sipas tij, nxënësit e shkollës që drejton ai kanë fituar projektin në fushën e artit me një skulpturë nga huma prej GIZ-it gjerman.
Klinaku: Kemi fituar në fushën e artit me një skulpturë të ndërtuar nga Huma
“Bashkëpunimi me GIZ-in gjerman nuk ka qenë i tashëm , ka qenë i kahershëm, mirëpo tani ka pasur rezultate konkrete për faktin që ka ndihmuar shkollat, mirëpo jo në aspektin e ndihmesës , por në aspektin e projekteve që janë realizuar konkretisht nëpër shkolla. Kemi pas projekte në shtatë fusha, ne kemi fituar në fushën e artit me një skulpturë të ndërtuar nga huma prej nxënësve”, tha Klinaku.
GIZ gjerman mbështet sektorin e arsimit themelor në Kosovë që nga viti 2008 dhe ka një bashkëpunim të ngushtë edhe me Qeverinë e Kosovës, posaçërisht me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas ekspertes së Arsimit në projektin Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor në këtë projekt janë përfshirë 12 komuna. Në fund u ndanë edhe mirënjohje nga GIZ-i për shkollat, drejtorët e shkollave dhe nxënësit për sukseset e arritura me bashkëpunimin që kanë pasur me GIZ-in.