Dëshmitarja flet për të shtënat dhe djegiet në masakrën e Qyshkut në 1999

Aktuale

Dëshmitarja flet për të shtënat dhe djegiet në masakrën e Qyshkut në 1999

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 12:00
Qyshk

Një dëshmitare tha në një gjykatë në Beograd se forcat serbe rrethuan të gjithë burrat me etni shqiptare në fshatin Qyshk të Pejës në maj 1999 dhe më pas plaçkitën dhe dogjën shtëpitë e tyre.

Dëshmitarja Servete Selmanaj tregoi në Gjykatën e Lartë të Beogradit të hënën se si forcat serbe hynë në Qyshk më 14 maj 1999, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, plaçkitën pronën e shqiptarëve dhe dogjën shtëpitë e tyre.

“Shtëpia ime u dogj. Po ashtu dhe të tjerat përreth saj,” tha Selmanaj në gjykatë, duke shtuar se shtëpia e fqinjit të saj ishte djegur para shtëpisë së saj.

Ajo tha se ushtarët në fillim mblodhën të gjitha gjërat e çmuara, të cilat ata urdhëruan shqiptarët t’i nxirrnin nga shtëpitë e tyre. Pas kësaj, ata i çuan burrat në një oborr aty ngjitur.

“Dëgjuam gjashtë të shtëna. Pastaj ata vunë të ecnim në rresht ne dhe fëmijët dhe i vunë zjarrin shtëpisë,” tha Selmanaj.

Më pak se një orë më parë, Selmanaj i kishte thënë djalit të saj të madh 18 vjeçar që t’ia mbathte që të shpëtonte, shtoi ajo.

Sipas prokurorisë, forcat serbe hynë në Qyshk dhe në fshatrat fqinje Pavlan dhe Zahaq më 14 maj, duke vrarë gjithsej 138 shqiptarë.

Prokurori serb ka akuzuar 11 ish-anëtarë të njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte në fshatrat e Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq në pranverën e vitit 1999.

Grupi fillimisht u dënua në vitin 2014 me 106 vjet burg, por gjykata e apelit në Serbi e rrëzoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Gjyqi konsiderohet të jetë një nga rastet më të mëdha që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë në gjykatat e Beogradit.

Por që prej fillimit të tij ai është shoqëruar me vonesa dhe refuzime të dëshmitarëve që të vijnë në Beograd për të dëshmuar.

Në vitin 2014, prokuroria serbe për krimet e luftës nisi gjithashtu një hetim mbi gjeneralin Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave, nën dyshimet se ai nuk bëri asgjë për të parandaluar krimet, por hetimi u mbyll.

Seanca e ditës së hënë u shoqërua nga një incident kur një nga të pandehurit, Sreçko Popoviq, i kërkoi gjykatës të heqë kufizimet për ta lejuar atë të lëvizë lirshëm breda Serbisë, pasi ai nuk mund të gjejë një vend pune në qytetin e tij.

Zv/prokurori i krimeve të luftës Bruno Vekariq foli kundër heqjes së kufizimeve, pas të cilës Popoviq e ofendoi atë nga vendi ku rrinte, Kryetari i trupit gjykues Vladimir Duruz e ndërpreu Popoviqin dhe tha se ai nuk do të tolerohej aspak për incidente të tilla në të ardhme.

BIRN raportoi krimet në katër fshatrat kosovar në filmin dokumentar “Të Paidentifikuarit”, i cili zbuloi gjithashtu strukturën komanduese të njësive policore dhe ushtarake të përfshira në dhunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat