Deputetët: Ministri Ismaili po tregohet i papërgjegjshëm

Aktuale

Deputetët: Ministri Ismaili po tregohet i papërgjegjshëm

Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 16:09
Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje Financiare

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje Financiare sot në rend të ditës pati shqyrtimin e raportit të auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2016, por ministri Uran Ismaili nuk iu ka përgjigjur as për herën e dytë Komisionit për të raportuar.

Kryetari i këtij Komisioni Driton Selmanaj, ka thënë se për raportin e auditorit të MSH-së, përsëri nuk i është përgjigjur pozitivisht ministri i Shëndetësisë Ismaili.

Ky i fundit, ka dërguar një përgjigje Komisionit, ku ka thënë se nuk ndihet i obliguar të raportojë për shkak se raporti i auditorit përfshinë një periudhë kur s’ka qenë ministër në MSH.

Selmanaj: Është një papërgjegjësi e ministrit Ismaili për të raportuar

“Unë këtë po e shoh një pa përgjegjësi të tij për t’i përgjigjur ftesës së Komisionit. Ne vlerësojmë bashkë si Komision se ata të ftojmë edhe një herë, apo do të kalojmë në një situatë tjetër ku do të trajtojmë edhe raportin e 2017, ku ndoshta atëherë i bie ndërmend atij që është obligues për me raportuar, sepse ka marr mandatin, apo mundemi që rekomandimet tona drejtpërdrejt me ia proceduar seancës dhe normalisht edhe aty me ngritë shqetësimin lidhur me pa përgjegjësinë, në këtë rast të një anëtari të kabinetit qeveritar për t’ju përgjigjur obligimeve kushtetuese”, ka thënë Selmanaj.

Anëtari i Komisionit Avdullah Hoti, ka thënë se ministri Ismaili nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë që ka për të raportuar në komision.

Hoti: Ne nuk po i themi ministrit ismaili me marrë përsipër të gjeturat e auditorit

“Ne nuk po i themi me marrë përsipër të gjeturat e auditorit, por me tregua dhe me qenë i vetëdijshëm  për planin e Ministrisë për adresimin e atyre të gjeturave”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, edhe anëtari tjetër deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ka thënë se duhet të shtyhet kjo pikë dhe të ftohet ministri për një mbledhje tjetër. Sipas tij, nëse nuk përgjigjet prapë, Komisioni duhet të bëjë rekomandimet për në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Lushtaku: Raportimi është edhe në të mirën e Ministrisë së Shëndetësisë

“Besoj se është mirë ta ftojmë ministrin edhe një herë pasi që ka të bëjë edhe me performancën e Ministrisë në tërësi. Të shikohet mundësia e zvogëlimit të të gjeturave që bëhen nga auditori I përgjithshëm karshi këtij institucioni që realisht është lënë anash qe sa vite. Raportimi nuk është vetëm në të mirën e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, por është edhe në të mirën e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë deputeti Lushtaku.

Komisioni u pajtua ta ftojnë ministrin Ismajli për herën e tretë për raportim.

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtuan dhe u përkrahën amendamentet për Projektligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe procedohen më tutje. Komisioni, po ashtu miratoi edhe rekomandimet për raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitare të Kosovës(SHSKUK),  për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat