Ky është pjesëtari i FSK-së i vrarë sot në Malishevë

Aktuale

Ky është pjesëtari i FSK-së i vrarë sot në Malishevë

Më: 9 mars 2018 Në ora: 11:19
Shani Maloku

Policia ka njoftuar se pas mesnate në afërsi të shtëpisë së tyre në fshatin Plloqicë të Malishevës janë plagosur dy persona. Viktimat që kanë qenë vëllezër nuk u kanë shpëtuar plagëve të marra, kanë vdekur rrugës për në spital

Arsyet e vrasjes së dyfishtë ende nuk dihen, mirëpo mësohet se viktimat janë Shani Maloku, 44 vjeç dhe Bahri Maloku, 33 vjeç.

Njëri nga vëllezërit ka ndërruar jetë derisa është dërguar në shtëpinë e shëndetit në Malishevë, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë në QKUK.

Bëhet e ditur se njëri prej tyre ishte pjesëtar i FSK-së.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka konfirmuar se njëri prej personave të vrarë është pjesëtar i FSK-së.

“Po mund të konfirmojmë se ka ndodhur ky rast, ka ndodhur vrasja e tetarit Shani Tafil Maloku i datëlindjes 1973 nga fshati Plloqicë e Malishevës. Ky ka qenë duke shërbyer në kazermën e FSK-së në Pomozetin, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, Njësia MKAB (Njësia për Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike)”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Maloku ka qenë përpara ish-pjesëtar i TMK-së, kurse gjatë kohës sa ka shërbyer nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore, por ka pasur vetëm masa stimulative.

“Ky është vrarë natën së bashku me vëllanë e tij duke u kthyer në shtëpi. Për momentin Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin. Strukturat kompetente të FSK-së janë duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës. Tani për tani nuk mund të flasim për motivet ngase nuk i dimë ato. Presim rezultatet e hetimeve që po i bën Policia dhe organet e tjera kompetente”, ka thënë Shala.

Ndërsa, sipas Policisë motivet e këtij akti deri më tani janë të panjohura. Po ashtu nuk dihet se kush janë kryesit e kësaj vepre.

“Të gjitha njësitë relevante policore përfshirë edhe prokurorin e shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për identifikimin dhe arrestimin e kryesve të mundshëm të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat