Vendoset masa e ndalimit për dy të arrestuarit për vrasjen në Malishevë

Aktuale

Vendoset masa e ndalimit për dy të arrestuarit për vrasjen në Malishevë

Më: 9 mars 2018 Në ora: 17:55
Malishevë

Dy vëllezërit, Shani e Bahri Maloku, 44 dhe 33 vjeç nga fshati Plloçicë i komunës së Malishevës u vranë mbrëmë me një breshëri plumbash në oborrin e shtëpisë së tyre.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar që ndaj dy personave të arrestuar për këtë ngjarje është vendosur masa e ndalimit prej 48 orësh. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja Lirie Podrimaj.

 “Dy prej disa personave që janë intervistuar sot nga sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së rajonit të Gjakovës.

Ngjarja tragjike në shtëpinë e familjes Maloku kishte ndodhur kur familjarët e kishin kuptuar që brenda oborrit të tyre kishin hyrë disa persona të panjohur për të vjedhur.

Nën kërcënimin e armës, njëri nga familjarët që kishte dalë jashtë kishte bërtitur për t’i lajmëruar të afërmit, ndërsa vrasja kishte ndodhur kur dy viktimat ishin afër për t’i kapur kriminelët.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 pas mesnate, ndërsa njëri nga të vrarët, Shani Maloku, ishte pjesëtar i FSK’së, ndërsa familjarët thonë që nuk kanë pasur konflikt me askënd.

Banorët kanë treguar që ky fshat ka pasur telashe me hajnat edhe më herët, ndërsa familjarët e viktimave besojnë që hajnat kishin hyrë për të vjedhur lopët.

Një nga vëllezërit ka ndërruar jetë në shtëpinë e shëndetit në Malishevë, kurse tjetri ka ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat