Fatmir Limaj flet për propozimin e Albin Kurtit

Aktuale

Fatmir Limaj flet për propozimin e Albin Kurtit

Më: 9 mars 2018 Në ora: 23:15
Fatmir Limaj

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka vendosur që me një letër të hapur t’i drejtohet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mbi rrugën përpara që sipas tij, duhet ndjekur për problemin e shkaktuar nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kurti tregon se si duhet vepruar për gjetjen e zgjidhjes për problemin e demarkacionit. Ai kërkoi nxjerrjen e një deklarate për fqinjësi të mirë dhe rishqyrtim të marrëveshjes së demarkacionit me këtë shtet, debat parlamentar për raportin e Komisionit Bulliqi, aq më tepër që marrëveshja e 26 gushtit 2015 pat shkelur Rezolutën e Kuvendit të 25 qershorit 2015. Po ashtu kërkoi edhe hetim parlamentar për marrëveshjen e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, që u nënshkrua në Vjenë në gusht të vitit 2015. Edhe pse ende nuk e ka lexuar letrën e Kurtit, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se propozimet dhe idetë e ndryshme janë të mirëseardhura.

Por sa i përket propozimit të Kurtit për debat parlamentar ai tha se deri tani ka kaluar një rrugë e gjatë dhe nuk duhet kthyer mbrapa. Tanimë duhet votimi, jo diskutimi. Sipas tij, bashkëbisedimi është ajo që duhet për këtë çështje, shkruan rtv21.tv “Për mua shumë e rëndësishme është se u hap debati, po diskutohet për të gjetur rrugë alternative. Dhe aktualisht nuk është e domosdoshme që kur jepen opsionet e zgjidhjes ose si me ardhur deri atje, nuk është e domosdoshme krejt me qenë një vijë.

E rëndësishme është që në tavolinë të trajtohen mirë se a ka kohë Kosova, a na humbë hapi i liberalizimit, a ka vend të bashkëbisedohet me malazezët”, tha Limaj. Zëvendëskryeministri tha se rishikimi i kufirit me Malin e Zi duhet t’i besohet profesionistëve. “Unë personalisht nuk kam me shkua me rishikua kufirin, asnjëri nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, sepse ne nuk dimë nuk jemi profesionistë”, shtoi Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat