Mirëpritet iniciativa e ministrit Reçica për lehonat

Aktuale

Mirëpritet iniciativa e ministrit Reçica për lehonat

Më: 11 mars 2018 Në ora: 16:43
Skender Reçica

Para tre ditësh në Kosovë, sikurse në tërë botën u shënua 8 Marsi, që njihet si Dita e Gruas.

 

Në shënim të kësaj dite, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica paralajmëroi disa ndryshime në Ligjin e Punës që ndërlidhen me mirëqenien e gruas, shkruan Indeksonline.

Ai tha se me hartimin e Ligjit të ri të Punës, një nga ndryshimet që do të përfshihen në ligj, do të siguroj trajtim meritor për nënat lehona në Kosovë.

Madje, sipas tij, për herë të parë në Kosovë do të ofrohet trajtim meritor edhe për nënat lehone të papunësuara.

“Nataliteti nuk do të jetë më brengë e jonë për mungesë buxheti”, tha Reçica.

Kjo iniciativë e ministrit Reçica, është përkrahur edhe nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mexhide Mjaku-Topalli e cila njëherit është anëtare e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

“Kjo është nismë që është dashur të ndërmerret edhe më herët, por tani deklarata e ministrit është e qëlluar duke pasur parasysh se jo vetëm këtë mandat, por edhe në të kaluarit dhe jo vetëm deputetet femra por edhe ata meshkuj, kanë pasur interesim që çdo ligj që ka qenë në fuqi dhe i ka munguar diçka atij ligji, të nxjerrin udhëzime përbrenda ministrive që janë në favor të gjinisë femërore, qoftë ndryshime të ligjeve që të jetë gjithçka siç duhet për të drejtën që i takon gruas”, ka theksuar Mjaku-Topalli.

Ajo ka shtuar se nëse kjo iniciativë e kreut të MPMS-së vije në Kuvend, do e mbështesë atë.

Në anën tjetër, Luljeta Demolli nga Organizata “Forumi Ekonomik i Grave” ka mirëpritur përpjekjet për përmirësimin e mirëqenies së gruas, mirëpo ajo ka edhe një kërkesë për MPMS-në. Ajo ka kërkuar që të bëhet zgjidhje edhe për shtesat e fëmijëve, meqë kjo do t`ua lehtësonte familjeve që të kenë edhe një fëmijë tjetër kur e dinë se i kanë shtesat.

“Shumë shpejtë ligji do të jetë në dëgjim publik kështu do të kemi rastin të jemi edhe pjesë e komenteve dhe të shohim se çka është më e mira për gratë. Është ideja që gratë të mos dëmtohen në asnjë aspekt, as ato kur vendosin të lindin e as ato kur vendosin të punësohen dhe që po ndodhë që në Kosovë të jenë të diskriminuara, sepse kujdesi i tyre është më shumë i kushtuar në kujdesin për familjen”, është shprehur ajo për Indeksonline.

Demolli ka shtuar se OJQ-ja ku ajo bën pjesë është pro pushimit të dinjitetshëm për lehonat, e që përfshihet 9 muaj pushim me pagesë për gruan, një muaj me pagesë për burrin, si dhe 3 muaj pa pagesë pushim prindëror që kombinohet nëse dëshiron ta marrë babai apo nëna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat