Kryesindikalisti ‘Trepçës’ e konfirmon takimin me Haradinajn: Ish menaxheri Tmava nuk ka drejt të hyj më në ndërmarrje

Aktuale

Kryesindikalisti ‘Trepçës’ e konfirmon takimin me Haradinajn: Ish menaxheri Tmava nuk ka drejt të hyj më në ndërmarrje

Më: 12 mars 2018 Në ora: 10:54
Pamje nga takimi

Takimin e sotëm të thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj për problemet në ndërmarrjen Trepça, e ka konfirmuar kryetar i sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku, i cili pret që aty të diskutohen tema me rëndësi për gjigantin ekonomik të Kosovës.

“Po jemi ftuar në takimin e thirrur nga kryeministri në ora 13:00. Ne e kemi bërë një kërkesë tek kryeministri për takim, në mënyrë që të diskutojmë rreth problemeve aktuale që janë në Trepçë, për shkak se ndërmarrja nuk ka menaxher dhe as bord”, ka thënë Sadiku.

Kryesindikalisti i Trepçës tregon shqetësimin e minatorëve edhe për keqpërdorimet të cilat po i bënë tashmë ish menaxheri Ahmet Tmava, ku para disa ditësh ai ka udhëtuar në Kanada, duke iu bashkuar atje një delegacioni të Qeverisë së Kosovës.

“Unë i kamë dërguar një shkresë ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku kam kërkuar nga ai sqarime se në çfarë forme dhe kush i ka dhënë të drejt Ahmet Tmavës të shkoj në Kanada, kur dihet se ai nuk është menaxher i Trepçës”, thotë Sadiku, i cili tregon se Tmava pas skadimit të kontratës një kohë ka qenë në pushim vjetor.

“Ai një kohë ka qenë në pushim vjetor, që në një formë e ka keqpërdorur edhe veturën zyrtare, sepse e ka mbajtur te shtëpia. Pastaj kam dëgjuar se veturën ia kanë marrë, por prapë sot dëgjova që ka ardhur në punë, por që nuk ka të drejt ligjore me qenë më pjesë e Trepçës prej 6 shkurtit, sepse i ka skaduar kontrata. Madje, ai nuk ka drejt as me hy në Trepçë, për arsye se ligji e thotë ashtu”.

Raportimin se tashmë nga MZHE është autorizuar zëvendës-menaxheri i Trepçës që të nënshkruaj për realizimin e pagave të punëtorëve, e ka konfirmuar kryetari i sindikatës.

“Po, të premten është autorizuar zëvendësdrejtori nga ministri i MZHE-së, që tash e tutje ta bëjë nënshkrimin e pagave”.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që menaxheri i Trepçës bën abuzime duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare në këtë ndërmarrje, pasi që siç kishte faktuar Inspektorati i Punës më 19 dhjetor 2014, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Trepçë ishin evidentuar punësime pa konkurs. “Misin Jashari (vëlla i Qazim Jasharit, drejtorit të Minierës dhe Flotacionit në Stan Tërg), Zijadin Mustafa, Shefki Fejza, Ahmet Rrahmani, Granit Quqalla, Naim Smajli, Artan Feka, Mehmet Aliu, Kastrit Syla, Admir Ramadani, Driton Sadiku dhe Mevlude Fetahaj (familjare e Bislim Fetahajt, drejtorit të Minierës në Artanë dhe Flotacoinit në Kishnicë), janë punësuar pa zbatimin e procedurës të shpalljes së konkursit, gjë që sipas Inspektoratit të Punës paraqet shkelje të dispozitës së nenit 4 të rregullores mbi Marrëdhëniet e Punës”, thuhet në faqen 11 të raportit të Inspektoratit të Punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat