Konjufca: Uranit i ka qëllu shok Kadri Veseli, prandaj është bërë ministër

Aktuale

Konjufca: Uranit i ka qëllu shok Kadri Veseli, prandaj është bërë ministër

Më: 14 mars 2018 Në ora: 11:50
Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca

(E plotësuar) - Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se kjo Qeveria Haradinaj, është Qeveri e pazareve, sepse duhet të shikohet mënyra se si është krijuar ajo.

Konjufca; Koncentrohuni tek ushtria e keni votën e VV

“Pse nuk po koncentroheni në tema që mund ta keni edhe votën e VV-së, pse po koncentroheni në demarkacion i cili po shkakton përçarje, mund të koncentroheni te ushtria për ta themeluar ushtrinë, këtu krejt këtë spektër politik që është i ulur në Kuvend në të gjitha anët e Kuvendit e keni votën pro. Atëherë pse nuk po e merrni këtë vendim...S’duhet ta harrojmë një gjë, kjo Qeveri erdhi me probleme të shumta. Mos harroni që një javë pasi erdhi kjo Qeveri në pushtet tre pacientë në QKUK gjetën vdekjen. Unë dua ta ngris edhe një herë këtë çështje, sepse u harrua shpejt. Mos harroni në vendet e perëndimit kur vdesin tre qytetarë për shkak të pakujdesisë së stafit, aty me së paku jep dorëheqje ministri, por edhe Qeveria mund të bie krejt”, tha Konjufca.

Madje, Konjufca tha se aq shumë zëvendësministra ka saqë duhet një ministri e veçantë për menaxhimin e tyre, sepse as vet ata nuk e dinë se çka bëjnë.  Ndaj Konjufcës reaguan kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili.

 Haradinaj: Kam një pyetje për ju VV-në

“Është e vërtetë se ka votë unike të shqiptarëve për ushtri sot, ajo që thashë me herët pse e kemi humbur një hap, fatkeqësisht, shpresoj se nuk do të bëjmë gabime të njëjta asnjë grup politik ndonjëherë. Fole për demarkacionin, dua t’iu bëj një pyetje VV-së sa me të sinqertë, duke përfshirë edhe Albinin, ma ka dërgu një letër. Më ka bërë përshtypje LDK-ja, në këtë parlament tentonte ta relativizonte raportin e Bulliqit, unë e di që jeni kundër marrëveshjes, sepse neni 3, pika 1.1 e keni marrëveshjen e famshme e keqe, por pika 1.2 është raporti Bulliqi, me ka bërë përshtypje pse disa të VV-së nuk iu tha kolegëve të vet të LDK-së nuk keni nevojë ta relativizoni se nuk ka bërë asgjë ai raport”, theksoi Haradinaj.

Derisa, ministri Ismaili tha se vdekjet kanë ndodhur tri pasi ai ka ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ismaili; Unë s’e kam heshtur këtë rast

 “E para rasti ka ndodhur tri ditë para se unë të vijë unë ministër. Në ditën kur e kam marrë detyrën e ministrit ka filluar të bëhet mediatike dhe në asnjë moment të këtij procesi nuk kam heshtur. Pra e kam ngritur në nivel të kryeinspektorëve, kam dal në secilën media televizive e kam diskutuar, kam thënë se e kam gjetur një gjendje shumë të rëndë, jo vetëm ministri mund ta zgjedh, por çka mund të bëjë një ministër është ta ngris si çështje mos ta lenë të heshtet. Do të thotë është e kundërta e asaj që ju ndoshta e thatë në mënyrë të përgjithësuar që rasti po heshtë’, tha Ismaili.

Por, ndaj tij replikoi ndaj ministrit Ismaili, duke i thënë se ai ka ardhur ministër vetëm pse e ka shok Kadri Veselin.

 Konjufca: Ministri Ismaili ka hi në mal pa sakicë

 “Sa i përket ministrit të Shëndetësisë, ky, siç thotë ajo fjala popullore ka hi në mal pa sakicë, nuk e ka përgatitjen e duhur që të merret me shëndetësinë. I ka qëllu Kadri Veseli shok dhe e ka bërë ministër, kaq është puna e tij. Nuk zgjidhet shëndetësia kështu, duhet të kesh koncept, plan si të zgjedhësh këto. Janë bërë gati 200 ditë dhe ka aparat në QKUK që ende s’e dinë as qysh funksionojnë”, u shpreh ai.

Ndërsa, ministri Ismaili i tha Konjufcës sëe nuk tha asgjë, sepse nuk po i sheh ato që janë arritur, siç është shërbimi 24:00 orë në repartin e kardiologjisë invazive.

Ismaili: Nuk po i shikon shërbimet 24:00 orë që s’kanë ekzistuar kurrë

“Shumë shpejt e shpërfaq prej një fjalimi të jemi konsensual, të jemi mirë, edhe menjëherë e shpërfaq inatin e madh politik. Qysh e shpërfaq, sepse nuk e shikon një shërbim që është sot 24:00 orë që nuk ka ekzistuar kurrë, të kish ndodh ty në familje tane nuk kishe pasur ku ta dërgosh, tash e qonë në QKUK pa paguar asnjë cent, do të thotë nuk e shikon, por shikon të bësh me fjali popullore. Mendon që unë duhet me qenë elektrik me shiku çfarë aparati ka, çfarë voltazhi ka, çfarë amperi ka dhe me ditë unë qysh punon aparati”, tha Ismaili.

Ky debat është bërë sot në Kuvend ku deputetët janë duke debatuar për 100 ditëshin e Qeverisë Haradinaj.

Deputeti i Nismas Socialdemokrate të Kosovës, Milaim Zeka, i ka kërkuar kryeministrit publikimin e të gjitha shpenzimeve të parave që janë ndarë për shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë, Epopesë së UÇK-së, e ato për shënimin e ditëlindjes së Skënderbeut, pasi sipas tij, këtu vjedhin në emër të patriotizmit.

Zeka: Na vjedhim në emër të patriotizmit

 “Paret që u dhanë për pavarësi të Kosovës edhe paret që u ndanë nga rezervat e shtetit për përvjetorin e Skënderbeut, i bëjë ftesë kryeministrit që të publikohen me qdo cent në faqen e Qeverisë..për Epopenë e për tana, për pavarësi e krejt, qaty vjedhet me së shumti, në Epope vidhet, në pavarësi vidhet, tash do të vidhet për Skënderbeun, qëtu vjedhen paret. Krejt në emër të patriotizmit na vjedhim, qysh me vjedh na, na s’mundemi edhe me vjedh edhe me dal me thanë jena hajna. Por le të publikohen cent me cent”, tha Zeka.

Deputeti i Nismës, duke folur për numrin e madh të zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, tha se duhet t’iu vije marre edhe Dardan Gashit edhe Behgjet Pacollit,edhe ministra edhe zëvendëskryeministra, si dhe shëtitja e zëvendësministrave me paratë e qytetarëve nëpër vende tjera pa ditë se për çka bëhen ato vizita jashtë vendit.

***

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka akuzuar Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajlin për kaosin siç e ka quajtur ai në QKUK, duke thënë se ai ka ardhur në postin e ministrit në këtë dikaster falë miqësisë që ka pasur me Kadri Veselin.

“Ti ke ardhur në postin e ministrit për shkak që je shok me Kadri Veselin, për asgjë tjetër nuk ke ardhur në këtë pozitë, për ty vlen thënia popullore që ke hy në mal pa sakicë. Ka hala ne QKUK aparate qe nuk e di si funksionojnë, as pacientet nuk janë në dijeni të atyre aparaturave që janë aty”, ka thënë Konjufca.

Sa i përket vdekjes se tre pacientëve, Konjufca ka thënë se ministri Ismajli duhet të zbardh skandalin e gasit i cili mori jetën e 3 pacientëve.

“E dimë që ministri ka ardhur ne detyrë me vonë, por nuk po akuzojmë atë për vdekjen e tyre por se si po e zgjidh atë situatë. Fajtori për vdekjen e tyre ka qenë gazi, por duhet hetuar kush e ka sjellë atë gaz dhe si ka ardhur deri te kjo”, ka thënë ndër të tjera deputeti Konjufca. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat