Akuzat se LDK ka penguar formimin e ushtrisë ndez debat në Parlament

Aktuale

Akuzat se LDK ka penguar formimin e ushtrisë ndez debat në Parlament

Më: 14 mars 2018 Në ora: 13:14
Kuvendi i Kosovës

Akuzat se LDK ka penguar formimin e ushtrisë ka ndezur debatin në Kuvendin e Kosovës, sa që me një moment kryeministri Ramush Haradinaj i ka thënë deputetit Arben Gashi se po gënjen.

Haradinaj tha se në vitin 2014 nga ambasada amerikane është kërkuar që t’u vazhdohen vendet e rezervuara për serbët në një mandat një vjeqar me kusht që ata do ta votojnë ushtrinë e Kosovës.

Por sipas Haradinajt një gjë e tillë është kundërshtuar nga LDK. Derisa Haradinaj fliste në foltore ishte deputeti Arben Gashi i cili e kundërshtoi atë çka tha Haradinaj duke i thënë se nuk është e vërtetë pasi që edhe ai ka qenë në ato takime.

Ky i fundit i tha Gashit që të mos gënjente.

Haradinaj: Arben mos rrej

“Kqyre Arben Gashi, nëse je kanë aty je ka rren sot, je ka rren sot nëse je kanë aty. Jo, jo nuk është ashtu, shkoni në Ambasadë të Amerikës merrni letrat. Vallai je tu rrej sot, rrej sa të duash, por janë shumë që e dinë se është ashtu, ki në partinë tënde që e dinë se është ashtu. Je ka rrenë o vëlla”, i tha Haradinaj Gashit.

Por ndaj kësaj “çartje” të Haradinajt reagoi kryesuesi Xhavit Haliti i cili u mundua ta këshillojë kryeministrin se si të veprojë.

Haliti: Mos u merr me ta

“Mos komuniko me ta, lexoje ekspozenë ata këtë punë e kanë me të shti me u nxeh dhe me fol me ta”, ishte këshilla e Halitit.

E deputeti i LDK-së Arben Gashi iu përgjigj kryeministrit Haradinaj duke i thënë se fjalori i përdorur ndaj tij nuk është i mirë.

Gashi: Ti nuk ke qenë prezent

“Z.Haradinaj ne të njohim për burrë të fort dhe trim, por mos mendo se as na nuk jemi të lig. E para, po flas dukagjinqe për me u marrë vesh më mirë meqë retoriken e ke dukagjinqe. Për të tjerat, kam qenë dëshmitar kur është diskutuar çështja e formimit të ushtrisë, kam qenë pjesëmarrës, ti nuk ke qenë prezent, ka qenë prezent në emër tanin Ardian Gjini dhe Blerim Shala. Ajo çka po thua këtu është e pasaktë dhe jam i gatshëm me ta dëshmuar a personalisht dhe publikisht kur të duash. Fjala, ofendimi, rrenat e fjalë të tjera nuk janë gjuhë parlamentare dhe të këshilloj nëse do dukagjinqe, kosovarçe mos i përdor se nuk janë në të mirë as të Kuvendit as në të tëndin”, tha Gashi.

E kryeministri Haradinaj shpejt u ftoh nga fjala “rrenc” duke i kërkuar falje deputetit Gashi.

Por ai këmbëngul se ishte LDK-ja ajo që e ka penguar formimin e ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj: Ka pasur dakordim të serbëve ta votojnë ushtrinë

“Arben, faleminderit për korrigjimin në shprehje, ki të drejt e tërheq  atë më vjen keq që e përdora ata fjalë. Pjesa tjetër është kjo, materia për të cilën fola unë po vlerësoj që ti e ki një pikëpamje të caktuar dhe po e mbron, edhe bindje edhe pikëpamje dhe ndoshta kujtesë nga ajo ngjarje, por po të siguroj me krejt çka di dhe krejt çka ekziston sot dokumente ki në këtë sallë plot njerëz, qoftë të komuniteteve, qoftë tanët që kanë qenë në takim që na u ka ofruar dhe kemi pasur dakordime e serbëve me e votua ushtrinë në atë kohë”, tha Haradinaj.

Nga ulëset e LDK-së pati edhe tjera reagime duke thënë se nuk është e vërtetë se LDK e ka penguar formimin e ushtrisë. Madje deputeti Ismet Beqiri tha se pa LDK-në nuk do të ketë shtet të mirëfilltë.

Debati për 100 ditëshin e Qeverisë Haradinaj është ende duke vazhduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat