Ambasada amerikane deklarohet rreth takimit për të cilin u përplasën sot LDK e Haradinaj

Aktuale

Ambasada amerikane deklarohet rreth takimit për të cilin u përplasën sot LDK e Haradinaj

Më: 14 mars 2018 Në ora: 19:13
Flamuri i Ambasades Amerikane

Ambasada amerikane refuzon të tregojë nëse LDK ose kryeministri Ramush Haradinaj po e thotë vërtetën rreth një takimi të liderëve të partive në ambasadë ku thuhet të jetë bërë oferta për krijimin e ushtrisë në këmbim të shtimit të vendeve për serbët në Kuvend.

Krejt papritmas sot në Kuvend, kryeministri Ramush Haradinaj hapi faqen në 2014’ën kur kishte ndodhur një takim i liderëve të partive në ambasadën amerikane. Aty, sipas kryeministrit, amerikanët u kishin bërë një ofertë për formimin e ushtrisë, por që pengesë kishte dalë Lidhja Demokratike, që atëbotë kishte refuzuar t’i jepej një mandat shtesë serbëve në Kuvend.

LDK nuk pranonte se kishte ndodhur diçka e tillë e palët po vazhdonin të akuzonin njëra-tjetrën për gënjeshtra.

Megjithatë ambasada takimin në  fjalë e ka cilësuar si privat, duke refuzuar ta komentojë.

 “Në politikën e përgjithshme të ambasadës së SHBA-ve është që të mos komentojë lidhur me bisedat tona private që mund të kenë ndodhur”.

Cështja e ushtrisë ishte një betejë tjetër mes LDK’së si opozitë dhe kryeministrit Haradinaj. Ky i fundit fajësoi partinë e Isa Mustafës se e kishte lënë Kosovën pa ushtri, pasi nuk kishte pranuar një kusht të vënë nga ambasada amerikane.

Sipas atij kushti, në këmbim të formimit të ushtrisë, partitë shqiptare do të duhej të pranonin që minoritetit serb t’i jepej edhe një mandat, e këtë e kishte refuzuar LDK.

Deputeti i LDK’së Ismet Beqiri tha se ai kishte qenë i pranishënm  në takimin që po përmendte kryeministri, por dha një version tjetër. Ai tha se LDK nuk e kishte penguar asnjëherë qeverinë, ndërsa për Haradinajn tha se as që kishte qenë i pranishëm në ambasadë.

Më vonë, edhe zv. kryeministri Enver Hoxhaj mbrojti atë qe po thoshte kryeministri, duke thënë se lidhur me këtë ofertë dhe këtë refuzim të LDK’së kishte edhe dokumente.

Deputetja Osmani tha se ndihet krenare që LDK’ja, jo që kishte penguar krijimin e Ushtrisë, por kishte shpëtuar vendin duke mos pranuar që serbëve t’u shtohen mandatet në Kuvend.

Ajo tha se serbët asnjëherë nuk kishin pranuar të votojnë ushtrinë e Kosovës dhe se nuk kishte asnjë garancë. Ndërsa, sipas Osmanit, nëse serbëve do t’i shtoheshin mandatet, sot pakicat do të ishin Grupi më i madh Parlamentar.

Derisa gjatë ditës deputetët ktheheshin mbrapa për vendime të marrë e qëndrime të mbrojtura, Ambasada Amerikane përsërit mesazhin që dha Ndihmëssekretari amerikan, Wess Mitchell, kur vizitoi Kosovën.

“Duke pasur parasysh këtë ne përsërisim mendimet nga vizita e Ndihmës Sekretarit Mitchell se udhëheqësit politikë të Kosovës kanë përgjegjësinë që të shikojnë nga e ardhmja dhe të bëjnë punën dhe fushatën që duhet bërë, gjë për të cilën ata vetë janë përkushtuar për të ndjekur tranzicionin e FSK-së”, thuhet në përgjigjën e ambasadës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat